Vendosni fjalën kyçe....

Kryediplomati i BE-së: Dialogu Kosovë-Serbi do jetë prioritet i mandatin tim


Diplomati spanjoll, Josep Borrell, i cili pritet të pasojë zonjën Federica Mogheirni në postin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, tha të hënën se një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë, do të jetë përparësi e punës së tij, raporton Zëri i Kosovës.

Gjatë një seance dëgjimore në Parlamentin Evropian, i cili duhet të votojë për zgjedhjen e tij, ai paralajmëroi se vizita e parë në postin e ri do të jetë në Kosovë.

Zoti Borrell ishte ministër i jashtëm i Spanjës, shtet ky që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, nga droja se mund të nxiste ambiciet e atyre që synojnë pavarësinë e Katalonjës.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se njohja e një vendi është përgjegjësi e secilit shtet anëtar të Bashkimit Evropian dhe se Spanja nuk është problem në këtë drejtim, pasi që sipas tij, Kosova nuk mund të bëhet shtet derisa nuk e njohin Kina, Rusia e India.

Ai tha se vizitën e parë si shef i politikës së jashtme do ta bëj në Prishtinë duke shprehur kështu përkushtimin për zgjedhjen e problemit ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Një gjë është e qartë; Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje, kjo është gjë e rëndësishme dhe do të bëj të pamundurën në mënyrë që të përmbushë këtë përparësi. Në fakt, vizita ime e parë do të jetë në Prishtinë. E njoh mirë Serbinë, por në Kosovë nuk kam qenë asnjëherë dhe kjo për arsye që dihen. Por udhëtimi im i parë do të jetë atje. Sepse besoj që nëse ne evropianët nuk jemi në gjendje të zgjidhim këtë çsështje, do të jetë problem që ne të jemi një fuqi gjeo-politike”,tha zoti Borrell.

Ai u bëri thirrje Kosovës e Serbisë që të përfshihen në bisedime sinqerisht dhe të mënjanojnë pengesat për vazhdimin e bisedimeve.

“Duhet të punojmë fuqishëm në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet. Kosova duhet të heqë masat ndaj mallrave dhe Serbia duhet të përfshihet thellë e sinqerisht në bisedime. Ne nuk mund të vazhdojmë kështu dhe jam i lumtur që dje Kosova kaloi përmes një procesi demokratik zgjedhor. Duhet të arrijmë një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe kjo do të jetë përparësia ime”,tha ai.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar mundësinë e emërimit të një të dërguari të posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi, duke ndjekur kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë rrugë.

Në muajin gusht sekretari amerikan Mike Pompeo, emëroi zotin Matheë Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, ndërsa presidenti Donald Trump, emëroi javën e kaluar ambasadorin Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Kosovë dhe diplomatët shpresojnë që kjo të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *