Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që t’i japë fund estradës dhe lojërave politike dhe të reflektojë pasi nuk mund t’i gënjejë partnerët ndërkombëtarë.
Ajo tha se opozita e bashkuar e ka bërë të qartë qëndrimin për zgjedhje të lira e të ndershme, që do organizohen nga një qeveri tranzitore.
“Është shumë e qartë që para Shqipërisë ekziston tashmë një sfidë madhore, siç u përcaktua dhe nga Bundestagu, sfida e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku nuk fitojnë partitë politike por fiton sovrani. Mazhoranca duhet t’i japë fund estradës së lojërave politike dhe të reflektojë, se SHBA, BE, e partnerët ndërkombëtarë, nuk gënjehen më me lojëra. Opozita e bashkuar tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri tranzitore, që iu garanton shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo më vazhdimin e lidhjes së politikës me bandat dhe krimin.” – tha Kryemadhi.
Në hyrje të deklaratës për mediat nga selia e LSI-së, Kryemadhi, vlerësoi zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë duke uruar integrimin e shpejtë të vendit në BE.