Në 10 komunat me shumicë serbe, në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, ka fituar bindshëm Lista Srpska. Në nivel vendit, zgjedhjet, sipas rezultateve preliminare, i fitoi Lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë në një intervistë në gjuhën serbe, Albin Kurti thotë se nuk i do në Qeverinë e tij fituesit serbë.
Në një intervistë për N1 në Serbi, kandidati për kryeministër nga LVV, ka thënë se do të fillonte menjëherë bisedimet me serbë për t’i marrë në Qeveri, por nuk e do fituesin kryesor të votave serbe në Kosovë, që është Lista Srpska, transmeton Gazeta Express.
I pyetur nëse ai do të formojë një qeveri me Listën Serbe, Kurti ka thënë se ai do të përfshijë partit politike serbe përveç Listës Serbe në koalicion, duke sqaruar se, sipas tij, Lista Serbe nuk është një parti politike por një shtet.
“Kushtetuta jonë thotë se duhet të jetë së paku një ministër nga komuniteti serb në qeverinë tonë, por nuk thotë se duhet të jetë nga Lista Serbe. Kështu që ne do t’i përqëndrojmë përparësitë tona në pakicat si komunitetet, jo si parti”, thotë Kurti.
Lideri i LVV’së ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënës se sapo të krijohet Qeveria do të shkojë në Bruksel për nisur bisedimet me Përfaqësuesin e ri të BE’së të caktuar për ndërmjetësim mes Kosovës e Serbisë.
“Nuk mund të kemi përsëri një dështim në këtë dialog, sepse kushton shumë. Ne gjithashtu do të shikojmë në ato 33 marrëveshje që kemi pasur nga 2011-2017, çfarë u përmbush dhe çfarë nuk ishte dhe cilat janë ndikimet në jetën e popullit të Kosovës dhe një ditë do të fillojmë një dialog me Serbinë, e cila duhet të jetë parimore”, thotë Kurti.