Të paktën nëntë njerëz kanë humbur jetën, pasi një anije që transportonte dhjetëra migrantë u përmbys në brigjet e ishullit Lampedusa, në jug të Siçilisë.
Rojet bregdetare italiane, thonë se anijet e shpëtimit kishin shpëtuar 22 persona, dhe operacionet e kërkimit për të mbijetuarit e tjerë janë duke zhvilluar ende.
Mbrëmjen e kaluar, u dha njoftimi se një anije që transportonte rreth 50 njerëz ishte në vështirësi.
Agjensia e migracionit të Kombeve të Bashkuara, tha se anija ishte nisur nga Tunizia dhe po transportonte migrantë tunizianë dhe afrikanë. Pas njoftimit, në ndihmë të anijes shkuan rojet bregdetare dhe policia doganore. Ata gjetën nëntë trupa të pajetë, shkruan Reuters.
“Kjo nënvizon edhe një herë se veprimi urgjent është i nevojshëm për të adresuar situatën në Mesdhe”, tha Charlie Yaxley, një zëdhënës i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNHCR.
Ministria italiane e brendshme thotë se rreth 7.939 migrantë kanë arritur në Itali me varkë deri më tani këtë vit, duke rënë 63% në të njëjtën periudhë në 2018 dhe 93% në nivelet e vitit 2017.