Vendosni fjalën kyçe....

Rezultatet paraprake nuk e nxjerrin fituese, çfarë thotë Vjosa Osmani


Rezultatet e deritanishme të publikuara nga KQZ, e nxjerrin LDK-në të dytën pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe me një rezultat tejet të ngushtë.

Me mbi 94% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 194.780 vota, ose e përthyer në 25,71% të totalit të votave të numëruara. Me një rezultat të ngushtë është LDK me 189.771 vota, ose përkthyer në përqindje 25,05%.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, nga selia e partisë foli mbrëmë para gazetarëve lidhur me rezultatet paraprake të KQZ-së.

Osmani bëri thirrje që të presim që të numërohet edhe vota e fundit dhe të shpallet fituesi për t’u deklaruar më pas.

Megjithatë, ajo e konsideroi opozitën fitimtare dhe shtoi se nëse do të fitojë Albin Kurti do ta uronte.

“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët. I falënderoj për pjesëmarrje që rezultoi me largim përfundimtar të atyre që kanë keqqeverisur dhe me një fitore të madhe të opozitës. Për sonte besoj që nuk mund të shpallet fituesi, meqenëse duhet të presim deri në numërimin e votës së fundit.

Rezultati siç po shihet do të përcaktohet nga votat me kusht dhe nga votat e mërgatës. Pas numërimit të votave me kusht dhe votave të mërgatës do të kemi një rezultat përfundimtar dhe do të dalim me një deklaratë.

Do të presim rezultatin final. Dallimi tani është diku 0,7 %, prandaj është e domosdoshme që të pritet numërimi i votave me kusht dhe atyre të mërgatës. Dhe në fund sigurisht që do ta pranojmë dhe respektojmë vullnetin e sovranit.

Duhet të presim shpalljen e fituesit dhe numërimin e votës së fundit dhe pastaj do të flasim.

Nuk pranojmë në asnjë mënyrë të negociojmë me PDK-në.”, tha Osmani.

Por kush është Vjosa Osmani, kandidatja e parë grua në historinë e shqiptarëve?

Vjosa Osmani është kandidatja e parë grua në kombin shqiptar. Ajo është konsideruar si kandidatura më e fortë për postin e kryeministres, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Osmani konsiderohet si militante e fortë për mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe shpesh herë është krahasuar me kancelaren gjermane Angela Merkel.  

Këto krahasime nisen t’i bëhen Osmanit në prag të vendimit të LDK-së, për caktimin e mandatarit për Shefin e Qeverisë së ardhshme.

Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës, Kosovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes.

Osmani studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste.

Ajo është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, në R.I.T Kosovo dhe në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA.

Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Osmani flet shkëlqyer disa gjuhë të huaja si anglisht, turqisht, spanjisht dhe serbisht.

Osmani është deputete e Kuvendit të Kosovës prej tri mandatesh. Dy palë zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë e nxorën Vjosën si gruan deputete më të votuar në historinë e Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht ka shërbyer si kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë.

Vjosa Osmani është e martuar dhe ka dy vajza binjake, Dua dhe Anda. Bashkëshorti i saj quhet Prindon Sadriu dhe me profesion është jurist. Osmani nuk preferon që familjen e saj ta prezentojë shpesh në publik./Hashtag.al

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *