Vendosni fjalën kyçe....

Shpallen fitues të çmimit “Nobel” në mjekësi, çfarë zbuluan tre shkencëtarët


Këtë të hënë është shpallur fituesi i çmimit “Nobel” në Mjekësi. Këtë vit kanë fituar tre shkencëtarë, William Kaelin, Sir Peter Ratcliffe dhe Gregg Semenza.

Sipas njoftimit zyrtar të Institutit “Karolinska” në Stokholm të Suedisë,  ata janë përzgjedhur fitues të çmimit prestigjoz për shkak të punës studimore dhe zbulimeve lidhur me ndjeshmërinë dhe përshtatjen e qelizave ndaj pranisë së oksigjenit.

Sipas këtij Instituti, zbulimet e treshes i kanë hapur rrugën “strategjive të reja për të luftuar aneminë, kancerin dhe shumë sëmundje të tjera”.

Sipas “The Guardian”, tre shkencëtarët do të shpërblehen me nëntë milionë krona suedeze që përkojnë me 828 mijë euro.

Randall Johnson, anëtar i komitetit të çmimeve, e përshkroi punën e treshes si një zbulim për “librat shkollorë”.

“Kjo është diçka themelore që studentët do të mësojnë kur të studiojnë, në moshën 12 ose 13 vjeç, ose më të rinj, në biologji dhe do të mësojnë mënyrat themelore se si funksionojnë qelizat.”, tha ai.

William Kaelin, i lindur në New York themeloi një laborator të vetin hulumtues në Institutin e Kancerit Dana-Farber në Boston dhe u bë profesor në Shkollën Mjekësore Harvard në 2002.

Gregg Semenza, gjithashtu i lindur në New York, u bë profesor me kohë të plotë në Universitetin Johns Hopkins në 1999 dhe që nga viti 2003 ka qenë Drejtor i Programit të Kërkimeve Vaskulare në Institutin Johns Hopkins për Inxhinierinë e Qelizave.

Sir Peter  Ratcliffe, i lindur në Lancashire, Angli, studioi mjekësi në Universitetin e Kembrixhit dhe themeloi një grup të pavarur kërkimesh në Universitetin e Oksfordit, duke u bërë një profesor me kohë të plotë në vitin 1996.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *