Të veçohesh në një ekip ku luan Lionel Messi është gjë shumë e vështirë, por Marc-Andre ter Stegen e ka bërë pikërisht këtë gjatë këtij sezoni, prandaj Barcelona po mendon ta shpërblejë.
Gjiganti katalanas është i etur t’ia ripërtërijë kontratën portierit gjerman, në mënyrë që ta mbajë sa më gjatë në Camp Nou.
Ter Stegen e ripërtëriu kontratën për herë të fundit në vitin 2017, e cila i zgjat deri në vitin 2022, por Barça dëshiron ta shpërblejë gjermanin për formën e tij mbresëlënëse, i cili e festoi paraqitjen e 200-të për klubin këtë fundjavë kundër Sevillës.
Gjërat nuk kanë qenë të lehta për të në Spanjë, pasi iu desh ta mposhte konkurrencën nga Claudio Bravo pas mbërritjes në klub, por që prej se e zuri vendin në portë në sezonin 2016/17, ai nuk ka shikuar prapa më.
Në 200 ndeshjet e tij me Barçën, Ter Stegen e ka ruajtur portën e paprekur në 84 prej tyre dhe i ka bërë plot 526 pritje.