Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se partia që drejton do presë përfundimin e numërimit të votave të zgjedhjeve të 6 tetorit për të vendosur për hapat e mëtejshëm.
Deri tani, Lëvizje Vetëvendosje e Albin Kurtit kryeson zgjedhjet në Kosovë me këtë të fundit që pritet të marrë përsipër formimin e qeverisë së re, megjithatë numërimi i votave nuk ka përfunduar plotësisht.
“Do të bisedojmë pasi të përfundojë numërimi i të gjitha votave. Sepse, vetëm kur të përfundojë numërimi, dihet qartë se kush është i pari, respektivisht mandatari”, tha Mustafa për “Express”.
Dy partitë në fjalë kanë pasur bashkëpunim edhe më herët, kur LDK-ja dhe Vetëvendosja u përpoqën të krijojnë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Haradinaj muaj më parë.