Policia ka arrestuar një 40-vjeçar në Shijak, i cili rezultonte i dënuar me parë për vrasje. Pas informacioneve se 40-vjeçari me inicialet G. B., qarkullonte me armë nëpër qytet, policia ka ndërhyrë për t’i kontrolluar makinën.
Mirëpo 40-vjeçari ka dalë nga automjeti dhe ka tentuar të largohet me vrap duke hedhur armën e zjarrit në tokë. Mirëpo efektivët kanë arritur ta ndalin.
DETAJET E POLICISË
Finalizohet operacioni policor “Magnum 2”. Kapet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë me 15 vite burg për vrasje.
Në pranga 40-vjeçari, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Durrës, në vijim të punës së tyre për rritjen e parametrave të sigurisë së komunitetit në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas, i cili qarkullonte me një automjet mbante armë zjarri me vete kanë organizuar menjëherë punën duke finalizuar me sukses operacionin e koduar “Magnum 2”.
Në kuadër të operacionit, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e personit, u ngritën pika kontrolli grackë dhe u bë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin lëvizte personi i dyshuar.
Në momentin që Policia ka ndërhyrë për të ndaluar ndaluar automjetin, 40-vjeçari G. B., banues në Shijak ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap duke hedhur edhe armën e zjarrit në tokë, por është kapur dhe prangosur në flagrancë nga shërbimet e policisë, të cilat kishin ngritur perimetër sigurie për të mos lejuar largimin e tij.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake’’ dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, me 13 fishekë luftarakë dhe automjeti tip Benz.
Shtetasi G. B. është person me rrezikshmëri të lartë, me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe ka qenë i dënuar më parë me 15 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje”, ngjarje e ndodhur në vitin 1997.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.