Kandidatja demokrate për presidente Elizabeth Warren, i ka bërë konfuzë amerikanët me deklaratat e saj lidhur me largimin nga puna kur ishte 22 vjeçe dhe gjashtë muajshe shtatzënë.
Në vitin 2007, gjatë një interviste Warren thoshte se kur mbeti shtatzënë në moshën 22-vjeçare vendosi se të punuarit nuk “funksiononte” për të dhe kishte vendosur të qëndronte në shtëpi për dy vjet.
Mirëpo tani që po kandidon për presidente, Warren thotë se atë në fakt e kishin pushuar nga puna vetëm pse kishte mbetur shtatzënë.
Senatorja ka pretenduar shumë herë se në vitin 1971 asaj nuk iu dha detyra si mësuese në Shkollën Fillore Riverdale në New Jersey, ku ajo kishte punuar për një vit, sepse ishte shtatzënë.
Mirëpo pas deklaratave të saj, në rrjet është rikthyer intervista e vitit 2007, ku ajo shprehej se në fakt ishte larguar vetë.
Por në intervistën në CBS-së këtë javë, Warren tha: “E gjitha që di është që unë kam qenë 22 vjeç, kam qenë shtatzënë dhe puna për që më ishte premtuar për vitin tjetër do t’i jepej dikujt tjetër. Drejtori tha që ata do të punësonin dikë tjetër për punën time.
Kur dikush ju telefonon dhe thotë se puna për të cilën ju jeni punësuar për vitin tjetër nuk është më e juaja dhe ‘Ne po ia japim dikujt tjetër’, mendoj se po të tregojnë derën.”
Warren u justifikua për CBS-në se formulimet e ndryshme për rastin vinin sepse kishte vendosur të tregohej më e hapur për ngjarjet e së kaluarës së saj, që kur u bë personazh publik dhe u zgjodh në Senatin e SHBA-së në 2012.
Por dokumentet e publikuara nga Washington Free Beacon tregojnë se Warren vërtet dha dorëheqjen nga puna.
Procesverbalet e mbledhjeve tregojnë se kontrata e Warren-it u rinovua për një vit të dytë në prill të vitit 1971 dhe se Bordi i Edukimit i Riverdale kishte pranuar “me keqardhje” dorëheqjen e saj në qershor të po atij viti.