Partia Demokratike ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Rama duke thënë se është armiku më i madh për drejtësinë e pavarur.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Alibeaj, tha se Rama ka bllokuar veprimet e drejtësisë me prokurorinë e kapur ndaj atyre që kanë futur duart në zgjedhje si dhe ndaj 3 kandidatëve të Ramës për bashkitë në votimet e fundit.
“Pavarësisht se flet nga mëngjesi në darkë për drejtësinë, Rama është armiku më i madh i drejtësisë së pavarur dhe zgjedhjeve demokratike. Prokurorinë e ka të tijën prej kohësh tashmë. Rama ka bllokuar punën e drejtësisë kundër atyre që blejnë vota, kundër kriminelëve që ai përdori në zgjedhje, kundër komisionerëve që ai përdor për të manipuluar zgjedhjet. Për të mbajtur në këmbë pushtetin e korruptuar e kriminal. Ka bllokuar drejtësinë ndaj 3 kandidatëve të Partisë Socialiste në votimet e 30 qershorit ndaj të cilëve PD solli prova të pakundërshtueshme. Edhe pse kanë kaluar disa javë nga denoncimet, kriminelët e Ramës vijojnë detyrën për shkak të mosveprimit të prokurorisë.” – tha Alibeaj.
Më tej demokrati tha se hetimi i krimit elektoral është një nga kushtet e vendosura nga parlamenti gjerman. Por me prokurorinë e kapur edhe ky proces është në vendnumëro.
Në fund Alibeaj i ktheu përgjigje Ramës me të njëjtën shprehje që ai përdori në seancën e sotme plenare duke thëne se edhe kryeministri është KÇK (Kap ça të kapësh).
“Hetimi i krimeve elektorale është një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman. Prokuroria hesht. Hajdutët e votave ishin, janë dhe mbeten të paprekshëm sepse i shërbejnë pushtetit të korruptuar e kriminalizuar të Ramës. Duke mos regjistruar asnjë procedim penal për zgjedhjet, prokuroria ka zhvleftësuar ODIHR-in. Rama është pengesa e vetme që Shqipëria nuk bën dot zgjedhje as si në Kosovë. Mungesa e vullnetit të kryeministrit për zgjedhje të lira e të ndershme, ka bllokuar edhe zbatimin e planit me 5 pika të opozitës së bashkuar për reealizimin e një reforme të re elektorale. Kap ça të kapësh. Edhe Rama atë po bën.” – mbylli Alibeaj.