Kreu i qeverisë ka sulmuar prokurorët dhe gjykatësit, duke përmendur rastin e prokurorit dhe gjykatëses në Durrës.
Në fjalën e tij në seancën e sotme plenare, ai tha se prokurorët dhe gjykatësit që nuk e kanë kaluar vettingun dhe e dinë që nuk e kalojnë janë pjesë e grupit KÇK dhe duhet shpallur në kërkim nga parlamenti.
“BE të reagojë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vettingun dhe që e dinë që nuk e kalojnë vettingun. Ata kanë edhe një shprehje me njëri-tjetrin: KÇK (Kap ça të kapësh).
Këtë grup ky parlament duhet ta shpallë në kërkim. Nuk mund të lejojë që prokurorë si ai në Durrës e gjykatësë si ajo në Durrës të bëjnë kërdinë mbi njerëzit, çdo ditë.” – tha kryeministri.
Më tej Rama replikoi me Alimadhin e Ballit Kombëtar, duke i thënë se nuk po fliste për pula por për krime.
“Po flasim për krime e nuk po flasim për pula. Nuk e ngrita këtë për t’u thënë juve që keni një përgjegjësi për këtë sepse nuk keni. Ky parlament duhet të reagojë.” – shtoi kreu i qeverisë.