Gjykata Administrative e Apelit e ka shtyrë vendimin lidhur me kërkesën për anullimin e një VKM-je që ndryshon pronësinë për 15 Ha të Kopshtit Botanik.
Pedagogë, studentë qytetarë e aktivistë, u mblodhën sot përpara gjykatës për të kërkuar anulimin e VKM-së.
Në protestë kishte edhe përfaqësues nga politika.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Spiro Dushku tha se destinacioni i Kopshtit Botanik si “vend rekreativ” është gjëja e fundit që mund të mendohet, sepse ai është qendër kërkimore shkencore dhe duhet t’i mbetet universitetit.
Në vendimin e datës 17 korrik, qeveria njoftoi se Kopshti Botanik bëhet pjesë e pasurive të paluajtshme të Bashkisë së Kryeqytetit. Por ky vendim është kundërshtuar nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës që e çoi çështjen në Gjykatë Administrative. Opozita akuzon dyshen Rama-Veliaj se po e bëjnë këtë veprim me qëllim për të ndërtuar kulla në hapësirën e Kopshtit Botanik./Hashtag.al