Këshilltarja për mediat e Presidentit të Serbisë, Suzana Vasiljeviç thotë se takimi midis Aleksandar Vuçiçit dhe Richard Grenellit, i dërguari i Trump në Kosovë, ishte shumë i vështirë, por nuk mund të hynte në detajet e bisedimeve.
Duke folur për “Prva TV”, Vasiljeviç tha që Vuçiç dhe Grenelli folën vetëm në dhjetë minutat e para, e më pas iu bashkua kreu i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuric.
“Ajo që ishte e pazakontë është që Presidenti po merrte vetë shënime për herë të parë. Bisedimet ishin dukshëm tejet të vështira dhe ai (Vuçiç) nuk ishte në gjendje të fliste as me ne” – tha Vasiljevic, citon N1.
Ajo shtoi se takimet e mëparshme, veçanërisht për çështjen e Kosovës ishin të vështira, por kurrë kaq të ashpra sa Presidenti nuk donte të fliste për këtë s me bashkëpunëtorët e tij, dhe vendosi të marrë ca kohë për të menduar dhe për mënyrën se si të komunikojë se cila do të ishte një zgjidhje që kishte dhënë Grenell.
Pas takimit me Grenell, zyra e presidentit serb nxori një deklaratë sipas të cilës Vuçiç i tha të dërguarit se një kompromis, i cili do të ishte në interes të stabilitetit dhe të ardhmës së të gjithë rajonit, mund të arrihet me respektimin e interesave legjitime të Serbisë.
Deklarata citonte Grenellin të thoshte se të dyja palët duhet të “bashkëpunojnë ngushtë dhe shpejt”.