Komisioni i Venecias ka miratuar sot opinionin përfundimtar lidhur për presidentin Meta. Opinioni përfundimtar nuk ka ndryshime thelbësore nga draft-raporti.
Pas takimit me përfaqësuesit e Presidencës dhe mazhorancës, Komisioni ka publikuar opinionin përfundimtar.
Ekspertët kanë theksuar në raport theksohet se presidenti Meta ka tejkaluar kompetencat me anulimin e 30 qershorit, por nuk ka kryer një shkelje të rëndë sa për ta shkarkuar.
“Edhe pse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat duke shtyrë zgjedhjet vendore, nisja e procedurave të shkarkimit mund të mos jetë e justifikuar. Ekspertët e Komisionit të Venecias dalin në përfundimin se, pavarësisht se Presidenti mund të ketë vepruar në tejkalim të fuqive të veta Kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre të atillë sa të justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit.” – thuhet në raport.
Më tej në raport thuhet se presidenti nuk mund t’i anulojë zgjedhjet pa konsensus politik dhe në raste gjendjesh të jashtëzakonshme parlamenti duhet të miratojë ligj të posaçëm për shtyrjen e zgjedhjeve.
“Në opinionin e miratuar sot, që është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti i Shqipërisë nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rast të një gjendjeje të jashtëzakonshme, si luftë apo katastrofë natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një ligj të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet. Si kundërpërgjigje ndaj krizës politike në vend dhe bojkotit nga disa parti politike kryesore, Presidenti në fillim i anuloi zgjedhjet e më pas i shtyu ato. Pavarësisht se Parlamenti vendos se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij, Komisioni i Venecias ka dyshime nëse këto ishin të atilla sa të konsideroheshin “shkelje të rënda”. – thuhet më tej.
Në fund ekspertët nënvizojnë thirrjet e presidentit për dialog si dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte ndihmuar në arritjen e një kompromisi mes palëve.
Ndërsa përmendin gjithashtu se nëse parlamenti vendos për shkarkimin e Metës, i takon Gjykatës Kushtetuese të konfirmojë nëse vendimet e presidentit janë aq të rënda sa për të justifikuar shkarkimin e tij.
“Ekspertët nënvijëzojnë thirrjen e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve do të kishte kontribuar në arritjen e një kompromisi mes partive. Ata theksojnë mungesën e ankimimit të dekreteve të Presidentit në Gjykatë. Për më tepër, zgjedhjet vendore nuk kanë të njëjtin status kushtetutshmërie si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë që, pavarësisht se Parlamenti do të vendose se shkeljet ishin të rënda, kjo nuk do të duhet të sillte domosdoshmërish nisjen e procedurave të shkarkimit, duke marrë në konsideratë objektiva të tjerë kushtetues, si ruajtja e balancave dhe stabiliteti i vendit. Nëse Parlamenti vendos pro shkarkimit do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese që të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit përbëjnë shkelje aq “të rënda” sa për të justifikuar shkarkimin e tij”.