Vendosni fjalën kyçe....

Presidenca: Taulant Balla mashtroi shqiptarët në emër të Venecias, shpërndau dokumentin e gënjeshtërt


Zëdhënësi i presidentit Meta, Tedi Blushi, ka deklaruar se kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mashtruar opinionin publik lidhur me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Ashtu siç ishte lajmëruar më parë, Blushi, doli në konferencën e jashtëzakonshme për media nga Presidenca, pas publikimit të opinionit përfundimtar ndaj presidentit Meta të Komisionit të Venecias.

“Titrat dhe lajmet e gënjeshtërta të shpërndara në panik nga shteti i propagandës janë dëshmi e qartë e dëshpërimit ku kanë rënë lolot e Rilindjes me në krye famozin e e mashtrimit Tao tao në lidhje me vendimit e Komisionit të Venecias.

Dua t’ju bëj me dije një fakt të pakundërshtetueshëm dhe lehtësisht të verifikueshëm që nxjerr në dritë para shqiptarëve paciptësinë e lolove të Rilindjes dhe famozit Tao tao që ndajnë në media gjoja në emër të Komisionit të Venecias raporte dhe konkluzione të pavërteta. Ky është dokumenti zyrtar i Komisionit të Venecias, kurse ky është dokumenti që Tao tao ka shpërndarë në media.

Ky dokument i shpërndarë nga Tao tao, përhap lajmin e gënjeshtërt se sipas Venecias, presidenti nuk mund të anulojë zgjedhjet. Sipas deklaratës zyrtare për shtyp mbi raportin final të Komisionit të Venecias  thuhet si më poshtë, citoj: Sipas opinionit të miratuar sot i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme siç është lufta apo katastrofa natyrore parlamenti do të duhet të miratojë legjislacionin ad-hoc për të shtyrë zgjedhjet.  Duke këshilluar në këtë rast Kuvendin që të investohet në plotësimin e vakumeve ligjore siç rekomandojnë ekspertët e Venecias e jo për tu investuar në shpërndarjen e lajmeve të rreme.” – tha Blushi.

Më tej zëdhënësi tha se ekspertët e Venecias kanë vlerësuar thirrje e presidentit për dialog si dhe i bëhet thirrje Kuvendit të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese siç janë ekuilibri dhe stabiliteti në vend.

“Gjithashtu ky dokument thotë si më poshtë, citoj: “Ekspertët theksojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të Dekreteve të Presidentit përpara ndonjë gjykate. Për më tepër, në këtë deklaratë zyrtare të Këshillit të Europës, këshillohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, citoj: Të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë mbajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend”. Diferencat në përmbajtje janë shumë të qarta dhe për këdo që ka dyshimin më të vogël mund t’i adresohet faqes zyrtare në internet të KiE-s për të kuptuar të vërtetën e vetme. Është kjo arsyeja pse Presidenti i Republikës në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin e Komisionit të Venecias, nga lolot e shtetit të propagandës.” – shtoi Blushi.

Në fund të deklaratë për shtyp, Blushi, tha se është e provuar me fakte e prova të pakundërshtueshme se Tao Tao dhe lolot që e shoqëronin në Venecia janë detyruar sot të kërkonin falje me përulje para Komisionit për keqpërdorimin politik të draft-opinionit.

Duke mbyllur ai theksoi se është e vërtetuar se presidenti nuk e ka shkelur Kushtetutën dhe e vërteta do i bëhet e ditur në ditët në vijim çdo shqiptari.

“Gjithashtu ju bëj me dije, se është e provuar me fakte e prova të pakundërshtueshme, por që për etikë nuk mund të bëhen publike, se Tao Tao dhe lolot që e shoqëronin në “Venecia” janë detyruar sot të kërkonin falje me përulje para Komisionit, për keqpërdorimin politik të Draft Opinionit, për shkelje të konfidencialitetit dhe për përdorimin e “Venecias” për të keqinformuar shqiptarët, duke zhvendosur vëmendjen nga problemet e vendit dhe të integrimit. Duke i lënë në pacipësinë e tyre të gjithë lolot e shëmtuar të shtetit të propagandës dhe përsheshngrënësit e tyre mediatikë që nxitojnë të publikojnë lajme të pakonfirmuara, mbështetura mbi dokumente Tao Tao, ju sqarojmë se: sipas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, presidenti Meta ka bërë:

Zero shkelje të Kushtetutës! Zero shkelje të kompetencave kushtetuese! Mbrojtje e shkëlqyer e Kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut! Mbrojtje e shkëlqyer e vendimit të Gjykatës së Strasburgut për të drejtën e zgjedhjes! Mbrojtje e shkëlqyer e detyrimeve ligjore që ka Shqipëria nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian!”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *