Ndërkohë që në Novi Sad u hodh ideja e një “Shengeni të vogël” mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë, Albin Kurti ka kërkuar që “Shqipëria ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës.”
Në një intervistë për Anadolu Agency, Kurti tha se nuk i kundërshton iniciativat rajonale dhe se Kosova nuk duhet të përjashtohet nga iniciativa të tilla.
Ai theksoi se duhet të takohet me kryeminsitrin Rama që të informohet rreth idesë, planit dhe mënyrës së kësaj iniciative.
“E përmend këtë sepse kanë thënë se do të formojnë një mini Shengen ballkanik kur në fakt këto tre vende tashmë e kanë liberalizimin e vizave. Poenta është si ta marrë Kosova, jo këta që tashmë e kanë ta krijojnë mini Shengenin ballkanik. Nuk i kundërshtoj në parim iniciativat rajonale, por Kosova duhet të jetë aty e respektuar dhe aktive. Për të arritur aty, unë edhe do ta ngre këtë çështje në takimin e parë që do ta kem me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Ramën”, deklaroi Kurti për AA.