Mjekët e QSUT-së kanë dhënë informacione mbi gjendjen e fëmijës 17-muajsh, që pësoi një incident të rëndë ditën e djeshme në Skrapar.
Fëmija është dërguar në QSUT pasditen e djeshme rreth orës17:15, në repartin e djegie-plastikës. Sipas mjekëve, aktualisht gjendja paraqitet e stabilizuar.
“Në Shërbimin e Djegie-Plastikës ka ardhur me urgjencë në gjendje të rëndë shëndetësore me djegie në pjese të ndryshme të trupit pacienti me inicialet K. B., i moshës 17 muajsh. Gjendja e tij shëndetësore sipas mjekëve të shërbimit, paraqitet e stabilizuar. Fëmija ka pësuar djegie në 30% të trupit”, bëhet e ditur nga mjekët e QSUT-së.
Stafi mjekësor është duke e mbajtur në monitorim të vazhdueshëm dhe po i jep përkujdesjen mjekësore të nevojshme.
Fëmija 17-muajsh, duke luajtur ka rënë në vendin ku familjaret po zienin rakinë e për pasojë ka marrë djegie të mëdha.
Fëmija fillimisht është dërguar në spitalin e Skraparit por më pas është nisur drejt Tiranës për shkak të plagëve të rëndë.