Shumë diskutime janë ngritur pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Serbi, mbi ngritjen e një “Shengeni Ballkanik” dhe lënien e Kosovës jashtë këtij projekti.
Por përveç kësaj, dyshime të tjera janë ngritur lidhur me shpenzimet e kryeministrit Rama për të fluturuar drejt Serbisë me një avion privat.
Avioni me të cilin udhëtoi shefi i qeverisë shqiptare është i një linje ajrore bullgare me bazë në Aeroportin e Sofjes.
“Aviostart”, logo që duket qartë edhe në fotot e mëposhtme, është një kompani që u ofron shërbime pasagjerëve privatë dhe çmimet fillojnë nga 1800 euro ora.
Një gjë e tillë u komentua së pari nga krijuesi i memeve Genc Sejko, i cili denoncimin e tij e ka shoqëruar me screenshoot nga faqja.
“Aviostart është një linjë ajrore bullgare me bazë në Aeroportin e Sofjes. Aviostart ofron shërbime të pasagjerëve privatë dhe çmimet fillojnë nga 1800€ ora. Presim që kryeministri të na tregojë se kush e pagoi faturën e fluturimit të tij në Beograd dhe se sa ishte shuma totale që u pagua.”, shkruan Sejko.
Kryeministri Edi Rama e ka ndaluar kabinetin e tij të udhëtojë me bussines class, por mesa duket nuk e paska përfshirë veten duke zgjedhur që të shkojë në Serbi pikërisht me charter.