Albana Vokshi i ka bërë thirrje ministres së Kulturës, Margaritidhe institucioneve përgjegjëse që të nisin sa më shpejt procedurat për t’i dhënë pensionin suplementar, poetit Jorgo Papingji.
Në një deklaratë në Facebook, demokratja thekson se ‘Mjeshtri i Madh’, Papingji, është ndër poetët më të njohur e dashur për publikun.
Vokshi shkruan se Papingji ka një kontribut të jashtëzakonshën në artin shqiptar por mbetet ende i pavlerësuar nga qeveria.
“Një jetë në vargje – “Mjeshtrit të Madh” Jorgo Papingji t’i miratohet sa më parë pensioni suplementar!
“Mjeshtri i madh”, Jorgo Papingji është një nga poetët e mirënjohur e më të dashur për publikun shqiptar që me pasion për muzikën, i shndërroi vargjet në këngë aq të dashura për të gjithë. I këndoi të gjitha moshave, këndoi në të gjitha zhanret e për të gjitha trevat shqiptare.
Autor i mbi 4000 teksteve dhe fitues i 17 çmimeve në Festivalet e Këngës në RTSH dhe i 26 çmimeve në Festivalet e Fëmijëve, “Mjeshtri i madh” i teksteve muzikore mbetet për fat të keq ende i pavlerësuar nga Qeveria.
I bëj thirrje Ministres së Kulturës Elva Margariti dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të ndjekin sa më parë procedurat e miratimit të pensionit të veçantë për “Mjeshtrin e Madh”, Jorgo Papingji.” – shkruan Vokshi.