Vendosni fjalën kyçe....

A gënjeu Erion Veliaj për numrin e pjesëmarrësve në Maratonën e Tiranës?


Sot u zhvillua për të katërtën herë Maratona e Tiranës, një aktivitet i organizuar nga bashkia e kryeqytetit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se në garë kanë marrë pjesë më shumë se 2500 njerëz nga vende të ndryshme të botës.

Mirëpo siç tregohet në faqen “European Sports Events”, duket se nuk është tamam kështu.

Përkundrazi, në listën e garuesve të regjistruar, ku kanë nisur të përpunohen të dhënat e rezultateve, tregohet se numri i pjesëmarrësve është 1738, gati gjysma (Kliko këtu për të parë listën e plotë). Faqja është e lidhur me faqen zyrtare të Maratonës së Tiranës, në opsionin për të parë rezultatet.

Kjo Maratonë u shënua me një moment të pakëndshëm për kryebashkiakun Veliaj, pasi ndërkohë që ai mbante një fjalim, disa aktivistë të Organizatës Politike brohorisnin “Duam ujë” dhe “Vrapo për ujë”, duke denoncuar mungesën e ujit të pijshëm në kryeqytet.

Përsa i përket fituesve të kësaj maratone, edhe një herë tjetër atletja shqiptare Luiza Gega u shpall fituese nga femrat, në kategorinë Tirana 10K me kohën 00:33:42, duke thyer sërish rekordin kombëtar.

Ndërkohë që në garën Tirana 10K fitues për meshkuj doli Hillary Kiptum Maiyo Kimaiyo me kohën 00:29:57, nga Kenia.

Fitues i garës së Gjysmë Maratonës për meshkuj doli sportisti nga Kenia Laban Cheruiyot, i cili e realizoi për kohën 01:06:44, ndërsa për femra fituese doli një tjetër sportiste nga Kenia, Christine Moraa Oigo, e cila e realizoi për kohën 01:20:32./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *