Pas shoqërimeve në polici të disa protestuesve te Unaza e Re, së bashku edhe me ish-deputetin Klevis Balliu, ka reaguar Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili deklaron se nuk duhet të fshihen pas fëmijëve dhe grave.
Sipas Lleshajt i cili reagoi në një postim në rrjetet sociale e cilësoi protestën e sotme si “risi” të PD-së për të bllokuar rrugët dhe fshehjen pas fëmijve dhe grave.
Më tej Lleshaj thotë se banorët duhet t’i drejtohen institucioneve për të zgjidhur problemin me shpronësimet.
Lleshaj dha edhe një mesazh për PD-në për të gjetur rrugën insitucionale dhe të distancohet nga veprime jashtë arsyes dhe ligjit.
Postimi i plotë:
Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës.
Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos.
Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë:
Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht. Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit.
Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike!
E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale.
Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë.
E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale. Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve.