Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për t’i lënë në “arrest me burg”, tre protestuesit e arrestuar për bllokimin e rrugës tek zona e Unazës së Re, gjatë protestave.
Basha sulmoi kryeministrin Edi Rama duke thënë se duhet të ishte në burg ai në vend të tre baballarëve.
“Me urdhër të Edi Ramës, gjyqtari Arben Micko dhe prokurori Bledar Maksuti mbajtën sot në arrest Skender Dodën, Gramoz Shehun dhe Ilias Katiraj. Tre baballarë mbahen në burg sepse mbrojnë shtëpitë e fëmijëve nga Hajduti Psiqik, Damian Lala dhe Taulant Yaris Bego që duan të vjedhin 40 milionë euro te Unaza e Re.
Sot Edi Rama duhej të ishte në burg për veprën kriminale të pastrimit të parave dhe ndërhyrjes me para të pista në fushatën e Presidentit Obama. Damian Lala dhe Taulant Yaris Bega duhet të ishin në qeli, bashkë me Sajmir Tahirin për aferat e tyre hajdutërore dhe bashkëpunim me narkotrafikantët.
Me hajdutë në qeveri dhe njerëz të pafajshëm në burg, nuk ka Europë, as zhvillim, as drejtësi. Vetëm largimi i kësaj bande hap rrugën drejt normalitetit dhe mirëqenies.
Sot në ora 18:00 të bashkohemi në protestë në krah të banorëve të dhunuar te Unaza e Re, kundër hajdutërisë dhe padrejtësisë.”, shkruan Basha.
Gjykata ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 personat e arrestuar para disa ditësh, me akuzën se bllokuan rrugën pas protestës së mbajtur tek ‘Unaza e Re’. Bëhet fjalë për këta persona; Skënder Doda, Ilir Katiraj si dhe Gramoz Shehu.
Mbi ta rëndojnë akuzat “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe bllokimi i rrugës, ndërsa me ndryshimet e bëra së fundmi në Kodin Penal, kjo vepër penale dënohet deri në 3 vite burg.
Por sipas avokatëve mbrojtës, rruga nuk u bllokua vetëm nga këta 3 persona, ndërsa shtuan se nuk pati arsyetim te vendimit.