Ditën e sotme do të mbaheshin zgjedhjet vendore të 13 tetorit, datë e dekretuar kjo nga presidenti Ilir Meta, por kjo e djelë është vetëm një ditë e zakonshme si gjithë të tjerat.
Presidenti Meta madje ka publikuar një video nga plazhi, ku shihet duke xhongluar topin. “E diela është më e bukur kur nis sportive!”, shkruan Meta krahas videos.
Më 8 qershor, presidenti Ilir Meta dha propozimin e tij për zgjidhjen e krizës politike në vend, kur tha se do të anulonte datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Dy ditë më vonë, Meta do të bënte publik dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve, duke bërë një lëvizje që kryeministri Edi Rama nuk e priste.
Ky vendim i presidentit u kundërshtua nga maxhoranca, e cila e gjykon antikueshtetues vendimin e tij dhe një nga argumentet që u përdor ishte se Meta s’kishte caktuar një datë tjetër.
Më dy korrik, Meta doli në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, duke thënë se ka vendosur që në tetor të mbahen dy palë zgjedhjesh, zgjedhje të përgjithshme si edhe për një president të ri.
“Unë jap zgjidhjen time si president në interes të gjithë shqiptarëve, të gjithë drejtuesit e tyre dhe përfaqësuesit e tyre. Ata nuk patën mundësi të zgjedhin. Kjo është përgjegjësi të dy palëve por edhe të disa të tjerëve të përfshirë kundër parimeve europiane.
Në 13 tetor ka zgjedhje të përgjithshme edhe zgjedhje për president. S’kam asnjë shqetësim, në Edi Rama s’më do mua të vënë kandidat kë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme.”, janë fjalët e Metës.
Edhe pse presidenti Meta e dekretoi 13 tetorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, dekreti i tij nuk u publikua kurrë në fletoren zyrtare.
Kryeministri Edi Rama nuk ndryshonte qëndrim në lidhje me datën e zgjedhjeve, që sipas tij ishte vetëm 30 qershori, pavarësisht se Ilir Meta e kishte ç’dekretuar këtë datë.
Debati për datën e zgjedhjeve u shoqërua me tensione në politikë, pasi asnjëra nga palët nuk lëshonte pe. Rama donte vetëm 30 qershorin, ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha nuk i njohu këto zgjedhje të mbajtura me vetëm një kandidat në shumicën e bashkive dhe kërkonte e vazhdon të kërkojë zgjedhje pa Edi Ramën si kryeministër.
Presidenti Ilir Meta ka sqaruar disa herë se vendimi i tij i marrë në qershor, ishte për të zgjidhur krizën politike në vend, si edhe për të shmangur konflikte.
Por maxhoranca nisi veprimet për shkarkimin e presidentit, pavarësisht se kjo është praktikisht e pamundur për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese, e cila është e vetmja që mund të vendosë nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe nëse duhet të shkarkohet.
Maxhoranca ngriti një Komision Hetimor për presidentin, të drejtuar nga Ulsi Manja. Meta u paraqit në këtë Komision për të dhënë argumentet e tij se pse vendosi të shtynte zgjedhjet e 30 qershorit.
Ai tha se një nga shkaqet ishte bërë një informacion sekret që kishte marrë më datë 7 qershor, se kishte organizime që më datë 8 gjatë protestës së opozitës të digjej Kuvendi.
“Në mënyrë të veçantë në datën 7 qershor, një ditë para se presidenti të bënte paralajmërimin e tij për shfuqizimin e datës 30 ka marrë një informacion sekret dhe të klasifikuar. Nëse Komisioni do të njihet me këtë, kjo mund të ndodhë, pasi institucioni përkatës ta konfirmojë këtë.
Ky informacion bënte të qartë se persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e opozitës më datë 8 qershor për djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Informacioni ishte tërësisht i besueshëm, po të keni parasysh protestat dhe pasojat nga këto protesta ku pati shumë policë dhe qytetarë të plagosur.
Presidenti nuk mund të lejonte apo të mos shmangte një ngjarje e cila mund të prodhonte jo vetëm dhunë e plagosje por edhe pasoja për jetën e qytetarëve, përveçse një shkatërrim të imazhit të vendit tonë, i cili ishte dëmtuar. Sëbashku me ekipin tim të sigurisë kombëtare, nga ky informacion sekret dhe nga të gjitha burimet e tjera që kemi patur, gjykuam se ishte momenti i duhur për të paranduar një ngjarje që mund të sillte pasoja të mëdha.”, tha Meta.
Maxhoranca vijon përpjekjet për shkarkimin e presidentit, ndërsa edhe një Komision nga Venecia është ngritur për të gjykuar nëse ç’dekretimi i datës 30 qershor për zgjedhjet lokale ishte shkelje e rëndë nga ana e presidentit dhe nëse ai duhet të shkarkohet.
Komisioni i Venecias i cili dy ditë më parë miratoi opinionin përfundimtar lidhur për presidentin Meta, vendosi se presidenti ka tejkaluar kompetencat me anulimin e 30 qershorit, por nuk ka kryer një shkelje të rëndë sa për ta shkarkuar.
Në raport thuhet se presidenti nuk mund t’i anulojë zgjedhjet pa konsensus politik dhe në raste gjendjesh të jashtëzakonshme parlamenti duhet të miratojë ligj të posaçëm për shtyrjen e zgjedhjeve.
Po ashtu thuhet se nëse parlamenti vendos për shkarkimin e Metës, i takon Gjykatës Kushtetuese të konfirmojë nëse vendimet e presidentit janë aq të rënda sa për të justifikuar shkarkimin e tij./Hashtag.al