Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Buxhetin Faktik 2018 nxjerr në pah një shthurje të financave publike. Në përpjekje për të ruajtur parametrat e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, financat kanë fshehur detyrimet e prapambetura, të cilat realisht arrijnë në 75 miliardë lekë, nëse përllogariten dhe detyrimet kontigjente gjyqësore ndërkombëtare. Shtohen rreziqet për një paaftësi për të paguar detyrimet financiare në të ardhmen, teksa rritja ekonomike është përgjysmuar tashmë. PPP-të janë një tjetër rrezik për buxhetin. Fshehja e shpenzimeve, një skenar i ngjashëm me Greqinë
Buxheti Faktik i vitit 2018, i ngjan një molle të kuqe nga jashtë, në kuptimin e ruajtjes së parametrave të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, por që në fakt është e krimbur nga brenda. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në raportin “Mbi zbatimin e buxhetit të shtetit 2018”, dorëzuar në Kuvend, ka konstatuar një sërë problematikash, që kanë lindur nga përpjekjet e financave për të fshehur situatën reale të financave publike. Treguesit realë të deficiti buxhetor, borxhit publik dhe detyrimeve të prapambetura janë të gjitha më të larta sesa raportohen nga Ministria e Financave, duke krijuar rrezikun e një paaftësie për të paguar detyrimet financiare në të ardhmen, ndërkohë që ekonomia ka hyrë tashmë në një spirale ngadalësimi (rritja në 6 muajt e parë të vitit u përgjysmua në rreth 2.2-2.3%). Nga kontrollet ka rezultuar se institucionet shtyjnë shpenzimet në kohë, në mënyrë që ato të mos llogariten si detyrime në vitin korent, çka i mundëson të ulin treguesit aktualë të borxhit, duke rritur detyrimet në të ardhmen, një skenar ky i ngjashëm me Greqinë (konstatim i “Monitor”).
Reformat fiskale nuk kanë funksionuar, presioni dhe risqet janë rritur, dhe në kushtet e rritjes së ulët ekonomike të parashikuar, herët a vonë do të duhet të merren masa korrigjuese. Në një kohë kur nevoja për investime në problemet themelore të ekonomisë sonë është e lartë, hapësirat për të kanalizuar fonde dhe hapësirat për korrigjime fiskale janë zvogëluar.
“Në kushtet e presioneve në treguesin e deficitit dhe borxhit publik, ndikuar nga problematikat sistemike të evidentuara në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 nga entet publike, nga ana e strukturave përgjegjëse janë marrë masa jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përfshirë mosplanifikim të plotë të shpenzimeve, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kryerjen e shpenzimeve të pambështetura me plan buxhetor, moslejim përdorimi fondesh buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, mosraportim të plotë të shpenzimeve për disa zëra buxhetorë, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetorë brenda kufijve të miratuar. Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskalë, treguesin e deficit, dhe treguesin e borxhit publik për vitin 2018”, thuhet në bazën për opinionin e auditimit.
Detyrimet e prapambetura arrijnë në 60 miliardë lekë, po kapin nivelin e 2013-s
Teksa Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) raporton që detyrimet e prapambetura janë 15 miliardë lekë (ose 8% më pak se një vit më parë), Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga auditimet ka konstatuar se niveli i tyre është shumë më i lartë. “Në konkluzion konstatojmë se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit”.
Detyrimet e llogaritura në total nga KLSH arrijnë në 60 miliardë lekë, ose 4 herë më të larta sesa ato që raportohen nga Ministria e Financave. Ky detyrim ndahet si më poshtë:
-Detyrimet për Rimbursimin e TVSH-së raportohen zero nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), ndërsa sipas KLSH-së ato janë 20.7 miliardë lekë. KLSH konstaton se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit. Në këto kushte, nga evidencat e mbledhura, në vlerësimin e KLSH detyrimet e prapambetura vlerësohen të jenë të paktën 20 miliardë lekë në fund të vitit 2018 (pa përfshirë rimbursimin e TVSH dhe detyrimet e prapambetura të FSDKSH). Për më tepër dhe si trajtuar më lart, vlera e detyrimit për TVSH të rimbusueshme rezulton të jetë në shumën 20.7 miliardë lekë në fund të vitit 2018 dhe ajo në FSDKSH rezulton të jetë në shumën 1.2 miliardë lekë.
-Detyrime për projekte investimesh, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera janë 15.5 miliardë lekë sipas Ministrisë së Financave dhe 21.2 miliardë lekë, sipas KLSH.
-Rimbursimi i tepricës kreditore të tatimit të fitimit ka krijuar një detyrim prej 15.2 miliardë lekësh, sipas KLSH, ndërsa Ministria e Financave e raporton zero.
– Detyrime për vendime gjyqësore ndërkombëtare janë 3.2 miliardë lekë, sipas KLSH dhe zero sipas MFE.
KLSH, në këtë tabelë, nuk ka përfshirë detyrimet kontigjente për vendime gjyqësore ndërkombëtare në proces të cilat nga auditimi në Avokaturën e Shtetit vlerësohen se mund të jenë deri në shumën 15.18 miliardë lekë, ku më kryesorja i përket çështjes Becchetti. Nëse do të shtonim dhe këtë zë, detyrimet totale mund të arrijnë deri në 75.5 miliardë lekë, duke ia kaluar nivelit të detyrimeve të prapambetura që qeveria e re socialiste gjeti në vitin 2013, të cilat arritën në 72 miliardë lekë.
KLSH thekson se niveli i detyrimeve të prapambetura është rikthyer në problematik. Si theksuar në VKM nr. 50, datë 05.02.2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, të ndryshuar, “paaftësia për të paguar detyrimet e saj financiare, brenda një kohe të shpejtë pasi ato bëhen të kërkueshme, dhe si pasojë dhe akumulimi i një mase të madhe të detyrimeve financiare të prapambetura i shkakton dëm ekonomisë. Ndikimet përfshijnë ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e papunësisë, për sa kohë bizneset e varura nga kontratat qeveritare pushojnë ose shtyjnë aktivitetin e tyre si rezultat i vonesave në pagesa ose vështirësive në mundësinë e kredive nga bankat tregtare”.
Deficiti buxhetor real e kalon limitin ligjor prej 2% të PBB-së, financat e raportojnë 1.6%
Deficiti buxhetor i raportuar nga Ministria e Financave rezulton të jetë sa 1.6% e PBB-së, çka në aspektin formal rezulton brenda limitit ligjor prej 2% të PBB-së. Por, KLSH ka konstatuar nga auditimet që niveli faktik i deficitit është i nënvlerësuar, në vlerësimin e KLSH detyrimet e prapambetura janë rritur me rreth 12 miliardë lekë në krahasim me një vit më parë, duke kapur një nivel mbi 42 miliardë në fund të vitit 2018. Nëse do të përfshihej rritja e detyrimeve të prapambetura gjatë vitit 2018, duke i raportuar shpenzimet kur ndodhin, deficiti do të ishte rreth 2.2% e PBB-së.
Deficiti ka arritur vlerën e tij më të lartë në muajin dhjetor 2018, për 25,368 milionë lekë, e cila përfaqëson 97% të Deficitit Faktik të vitit 2018. Të dhënat tregojnë se në muajin dhjetor janë shpenzuar 67,448 milionë lekë, ose 1,8 herë më shumë se sa mesatarja e shpenzimeve mujore. Shlyera e faturave në masë të madhe në muajin dhjetor, vjen jo vetëm si rezultat i realizimit të shpenzimeve në këtë muaj, por edhe si rezultat i regjistrimit të shpenzimeve të ndodhura më parë, duke sjellë kështu risk për stabilitetin fiskal si dhe për efikasitetin real të këtyre shpenzimeve, devijime të shumta në mënyrën e mbulimit të financimit të deficitit buxhetor nga financim i brendshëm në atë të huaj. Ashtu si në vitet e mëparshme, ne kemi trajtuar në këtë raport problematika që lidhen me regjistrimin me vonesë ose mosregjistrimin e shpenzimeve, për të qëndruar brenda limiteve buxhetore, apo realizimin formal të shpenzimeve në fund të vitit, për të mos djegur fondet buxhetore. Këto fenomene evidentojnë qartë dobësitë në lidhje me menaxhimin e financave publike dhe thyerjet e sistemeve të kontrolleve gjatë të gjithë ciklit buxhetor, thuhet në raportin e KLSH.
Sipas raportimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, deficiti buxhetor për vitin 2018, ishte parashikuar në vlerën 32,366 milionë lekë dhe është realizuar në masën 26,238 milionë lekë, ose realizuar në masën 81,1% e planit. Deficiti i raportuar rezulton të jetë sa 1.6% e PBB-së, çka në aspektin formal rezulton brenda limitit ligjor prej 2% të PBB-së. Nëse do të përfshihej rritja e detyrimeve të prapambetura gjatë vitit 2018, duke i raportuar shpenzimet kur ndodhin, deficiti do të ishte rreth 2.2% e PBB-së, kjo bazuar në kuptim të nenit 61, të ligjit nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar në të cilin citohet se “…Metoda e njohjes së shpenzimeve dhe të ardhurave, për qëllim të këtij ligji, ka të bëjë me: a) njohjen e shpenzimeve të vitit buxhetor në çastin e ndodhjes së tyre, pavarësisht nga data e pagesës”.
Borxhi, financat e raportojnë 67.2% të PBB-së; sipas KLSH arrin në 71.6%
Ministria e Financave ka raportuar se stoku i borxhit publik zbriti në 67.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të vitit 2018. Por, KLSH konstaton se stoku i borxhit publik të raportuar për vitin 2018 paraqitet i nënvlerësuar bazuar në respektimin e kërkesave ligjore për raportimin e detyrimeve të prapambetura.
Në këtë mënyrë, mosfinancimi i detyrimeve të prapambetura nënvlerëson stokun e borxhit të marrë për financimin e shpenzimeve të padeklaruara. Detyrimet e prapambetura, sipas vlerësimit të KLSH për shpenzimet e ndodhura por të padeklaruara, detyrimin për TVSH-në e rimbursueshme dhe detyrimet e prapambetura të konstatuara në FSDKSH vlerësohen në total në rreth 42 miliardë lekë. Nëse merren në konsideratë këto detyrime, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,107 miliardë lekë, do të ishte në rreth 1,149 miliardë lekë, i cili në raport me PBB do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 69.7%. Nëse do të zhvishet borxhi i jashtëm publik nga efekti i zhvlerësimit të kursit të këmbimit, atëherë borxhi real arrin në 71.6% të PBB-së, ose 4.4 pikë përqindje më i lartë sesa ai që raporton Ministria e Financave.
KLSH konstaton se ulja e treguesit të borxhit publik në raport me PBB ka ardhur kryesisht nga rritja më e madhe e PBB se rritja e stokut të borxhit publik, duke qenë se në krahasim me një vit më parë, të dy treguesit paraqiten me rritje. Në këtë mënyrë, rritja e stokut të borxhit vlerësohet në rreth 19,116 milionë lekë, ndërkohë që rritja bruto e PBB në raport me një vit më parë vlerësohet në rreth 92,425 milionë lekë. Rritja e borxhit publik me 19,116 milionë lekë gjatë vitit 2018 nuk reflekton rritjen reale të tij gjatë vitit, pasi shtesa në huamarrje, duke përfshirë financimin e huaj, atë të brendshëm dhe ripagesat paraqitet në rreth 52,590 milionë lekë sipas tabelës së mëposhtme:
Diferenca prej mbi 30 miliardë, ose rreth 1.9% të PBB lekë, përfaqëson efektin e rivlerësimit të stokut të borxhit në valutë të huaj në ulje si pasojë e ndryshimit të kursit të këmbimit. Edhe këtë vit, sikurse në vitin 2017, duke qenë se monedha vendase është mbiçmuar në raport me monedhat e huaja, efekti ka qenë pozitiv në uljen e raportit të borxhit publik në raport me PBB. Megjithatë, ulja e treguesit të stokut të borxhit si përqindje ndaj PBB, me 1.9% të PBB, si rezultat i kursit të këmbimit, është evidencë e ekspozimit të borxhit publik ndaj riskut të kursit të këmbimit, konstaton KLSH.
KLSh konstaton se monitorimi i treguesit të borxhit është tepër i rëndësishëm që të kryhet, duke marrë në konsideratë edhe implikimet buxhetore që lidhen me koncesionet/PPP. “Në këtë mënyrë, çdo kontratë e lidhur për koncesionet është një kontratë me flukse detyruese disavjeçare, për të cilën nevojitet financimi i realizimit të projektit. Referuar të dhënave aktuale në lidhje me 15 kontratat koncesionare rezulton se një pjesë e tyre, referuar standardeve të klasifikimit brenda ose jashtë bilancit të shtetit sipas risqeve të marra përsipër në kontratë, ndikojnë në treguesit e borxhit. Për këtë arsye, në planifikimin dhe realizimin e treguesve të borxhit është e rëndësishme që të merren në konsideratë këto kosto financiare që mbartin këto projekte, megjithëse Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk raporton në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit, që kërkojnë që këto kontrata të raportohen në stokun e borxhit publik”, thuhet në raport.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor.al