Vendosni fjalën kyçe....

Anketa e BSH: 19 % e familjeve borxhlie ushqehen me lista, nuk paguajnë dot mallrat që blejnë


Struktura e borxhit të familjeve shqiptare është shumë e ndryshme, që nga kredia bankare deri tek tregjet informale, overdrafti dhe të ashtuquajturat lista në dyqane, ku familjet konsumojnë mallra pa mundur t’i paguajnë në kohë.

Një anketë e Bankës së Shqipërisë tek 2010 familje të shtrira në të gjithë vendin ka evidentuar se 24 për qind e familjeve kanë një ose më shumë se hua për shlyer. Ndërsa 19 për qind e familjeve borxhlie kanë deklaruar se borxhin e kanë ndaj njësive të shitjes më pakicë, teksa kanë konsumuar mallra dhe nuk kanë mundur të bëjnë shlyerjen e tyre në kohë. Njësitë e pakicës, sidomos ato që tregtojnë produktet e shportës disponojnë fletoren e listës ku shënojnë familjet që marrin produkte kundrejt pagesave të mëvonshme.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në familjet huamarrëse, peshë të konsiderueshme vijon të ketë zëri ‘mall i papaguar’ (19% e rasteve të huamarrjes), por në rënie graduale gjatë tre periudhave të fundit.

Në totalin e familjeve borxhlie në rreth 37% të rasteve të raportuara, huamarrja e familjeve rezulton në formën e ‘kredisë nga institucione financiare’, ku 32% e rasteve janë në trajtë ‘kredie’ dhe 5% janë në trajtë ‘kartash krediti dhe overdraft’. Kjo peshë ka shënuar rritje me rreth 7 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe ka mbetur pothuaj e pandryshuar krahasuar me një vit më parë.

Në rreth 43% të rasteve, huamarrja deklarohet në formën e ‘parasë në dorë’, duke shënuar një rënie të lehtë me 1 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar. Peshë të konsiderueshme vijon të ketë zëri ‘mall i papaguar’ (19% e rasteve të huamarrjes), por në rënie graduale gjatë tre periudhave të fundit

Duke e analizuar tepricën e deklaruar sipas burimit, rezulton se rreth 70% e saj vjen nga burime formale (banka dhe institucione financiare jobankare) dhe rreth 30% nga burime joformale ( si persona fizikë, hua në formë malli etj.)

Kjo strukturë ka mbetur e pandryshuar krahasuar me 6-mujorin e kaluar, por në terma vjetorë është zhvendosur në favor të huasë joformale, duke reflektuar rënien e tepricës së huasë nga ‘bankat’ dhe ‘institucionet financiare jobankare’.

Duke e analizuar tepricën e huamarrjes sipas qëllimit të përdorimit të saj rezulton se rreth 37% e saj është përdorur për ‘blerjen/riparimin e një prone’, 31% për ‘zhvillimin e një biznesi’ dhe 13% është përdorur me qëllim ‘konsumi’.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *