Ujësjellësi i Durrësit ka pranuar që në vitin 2015 se ujërat e zeza që përshkojnë Shkozetin dhe ish-Kënetën, jo vetëm që janë shqetësuese për banorët, por derdhen në det. Edhe pse kanë kaluar pesë vite, gjendja vazhdon të jetë katastrofike, duke sjellë pasoja të rënda shëndetësore për banorët, ndërsa institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës. Veç pas interesimit të Portës Vendore, Inspektorati i Mjedisit Durrës, i dërgoi një kërkesë për bashkëpunim 3 institucioneve, Bashkisë Durrës, Bordit të Kullimit Durrës dhe Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, ku evidentohet se kanalet janë të bllokuara dhe si pasojë krijohen ujëra të ndenjura dhe aroma të këqija.
Një udhëtim në “Durrësin e ri”
Është fillim shtatori dhe zhiva e termometrit nuk i ndahet 30 gradëve. Në lagjen numër 14 të qytetit të Durrësit apo njohur si “Shkozeti”, nuk duket këmbë njeriu në rrugë. Është mëngjes. Dyert dhe dritaret e shtëpive janë të mbyllura. Altin Hadaj po nxiton me bashkëshorten dhe vajzën e vogël për diku. Nuk është vapa arsyeja përse ai nxiton, apo që shumica e banesave kanë mbyllur dyert e dritaret, por kanali që përshkon lagjen.
Dikur kjo zonë kishte karakter bujqësor dhe industrial, ujërat e shiut apo të vaditjes që mblidheshin nga tokat, kullonin në një kanal kryesor, që derdhet më pas në Detin Adriatik. Me të nisur popullimi i zonës në vitet’ 90, katet e larta të banesave private nuk ecën paralelisht me shërbimet publike. Mungesa e sistemit të kanalizimeve u zgjidh duke i shkarkuar “ujërat e zeza” në kanalin bujqësor.
Altini ndalon. Sytë i shndrisin nga kureshtja. Pasi e kupton se nuk jemi nga bashkia për të mbyllur kanalin, largon familjen me shpresën se do t’i shpëtojnë erës që kundërmon nga ujërat e zeza që kanë mbushur kanalin. “Ky është kanali i fermës. Nga’ 92-shi është në këtë gjendje. Në atë kohë ka pasur një të mirë se nuk derdheshin ujëra të zeza, sot derdhen të gjitha këtu, afro 1200 shtëpi që ka kjo zonë dhe këtu nuk është bërë asnjë lloj investimi për këtë kanal”, thotë Altini.
Kanali nuk mbetet me kaq. Ai vijon në zonën e pagëzuar si “Durrësi i Ri” (ish-Këneta). Sa më shumë zgjatet drejt zonës së banuar, aq më shumë shtohet niveli i ndotjes dhe aromës së rëndë. Zona e ish-Kënetës ka sot një sipërfaqe 15.6 km2 dhe në të janë vendosur qindra banesa e biznese. Si të mos mjaftonte, derdhja e kanalit përfundon në Detin Adriatik, duke mbushur me ujëra të ndotura bregdetin e Porto-Romanos.
UKD Durrës e di situatën që në 2015-n
Në një dokument të zbuluar nga Porta Vendore, që i përket vitit 2015, Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) 2 vite pasi ndërtoi Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura (ITUND), aplikoi për “Leje Mjedisi të Tipit A”, procedurë që duhej të ishte realizuar përpara nisjes së investimit të ri. UKD shpjegon se shkarkon ujërat e zeza të pothuajse të gjithë qytetit në këto kanale të hapura, duke pranuar edhe se më pas ato derdhen në Detin Adriatik.
Porta Vendore realizoi një vëzhgim në muajt korrik-gusht, që në pikën ku nis kanali me gjerësi mbi 6 metra, në zonën e Shkozetit, duke vijuar në ish-Kënetë dhe deri në derdhjen në Detin Adriatik, në zonën e Porto-Romanos. Përveç dokumentimit të situatës mjedisore, u zbuluan fakte dhe qëndrime kontradiktore të institucioneve që ligji i ngarkon për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, mjedisit dhe realizmin e punëve publike.
Shëndeti i banorëve në mëshirë të mushkonjave!
“Ujërat duke qenë shumë të pasura me ushqyes (nitrate e fosfate), kanë një seri ndikimesh në biodiversitetin e ujërave të ëmbla, ashtu edhe në ato detare, pas shkarkimit të tyre në det. Nga ana tjetër, duke qenë kaq të ekspozuara ndaj banorëve, ato mund të bëhen burim infeksioni apo epidemie”, shpjegoi për Portën Vendore Olsi Nika, hidrobiolog dhe drejtor i Organizatës Jo-qeveritare, “Eco Albania”.
Në relacionin që Porta Vendore disponon, UKD në 2015-ën shkruante se, “Ndotja e nxehtë mjedisore e ujit ka shkaktuar një shkatërrim mjaft të madh në brendësi të ekosistemeve natyrale, si pasojë e derdhjeve të ujërave të ndotura në kënetat baticore ose në zonat detare bregdetare. Shkarkimi i ujërave të ndotura në kanale të hapura në afërsi të zonave të banuara dhe të plazhit është shkaktar i problemeve shëndetësore, ekonomike dhe sociale. Efektet e ujërave të pa trajtuara ndihen jo vetëm në pikën e derdhjes, por edhe në plazhet që ndodhen në distancë prej saj”.
Ligjet për mjedisin kërkojnë monitorimin e cilësisë së ujërave dhe informimin e komunitetit për nivelin e përbërësve të tyre. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, dega rajonale Durrës, pasi mori Kërkesën për Informacion nga Porta Vendore, ngriti një grup inspektimi që konstatoi në terren se; “Kanali është kanal kullues i ujërave sipërfaqësore dhe është nën administrimin e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit [bashkia Durrës]”.
“Inspektimet për ndotjen dhe matjet për ndotjen mjedisore që ka ky kanal, nuk kryhen nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, por nga Inspektorati i Mjedisit, pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit”, sqaron Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, dega rajonale Durrës, teksa Inspektorati i Mjedisit në përgjigjen e sjellë nuk specifikon të ketë kryer matje për nivelin e ndotjes.
Ujësjellës Kanalizime Durrës njofton Inspektoratit të Mjedisit se,“Shoqëria jonë, e ka të pamundur marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e kësaj situate emergjente, pasi për mungesë fondesh nuk është parashikuar ndonjë investim, i cili do të realizonte sistemimin e ujërave të ndotura në këtë zonë”.
Shërbimi paguhet, por kanalizime nuk ka!
Ramadan Çeço la Korçën 18 vite më parë, për tu vendosur në ish-Kënetë, apo “Durrësin e Ri”, së bashku me të afërmit e tij. Shtëpitë i kanë ndërtuar pranë njëri-tjetrit. Jeton me djalin dhe gëzohet nga nipërit e mbesat. Qejfin ia prish vetëm kanali që i kalon mu përpara shtëpisë.
Thotë se është i rregullt me pagesat për pronën dhe shërbimet që ofrojnë operatorët publikë. “Përveç shërbimit të ujit paguajmë edhe gjelbërim, kanalizimet, çfarë janë këto të shtetit, të gjitha aty i paguajmë”.
Edhe Bukuri Duro që jeton në Shkozet thotë se e paguan shërbimin e kanalizimeve tek Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD), paçka se nuk ofrohet. “Drita, ujë të tëra i paguajmë. Jemi shumë të rregullt me taksat, kemi 28 vjet që i paguajmë të tëra taksat të rregullta dhe kur vjen puna asnjë nuk po vë dorë këtu”, shton gruaja rreth të 50-ave, që aroma e kanalit e acaron edhe më shumë nën diellin përvëlues.
Parimi më shërbe që të paguaj, duket se funksionon në anën e kundërt në Durrës. Ujësjellës Kanalizime Durrës e ofron ujin e pijshëm për konsumatorët familjarë me 70 lekë metër kubin, ndërsa shërbimin e largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura, e ofron me 50 lekë për metër kub.
Tre vite pasi Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) ndërtoi dhe vendosi në punë Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura, më 24 shkurt 2015, aplikoi për “Leje Mjedisi të Tipit A”, procedurë që duhej të ishte realizuar përpara nisjes së investimit të ri. Në kërkesën drejtuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, UKD evidenton se shumicën e ujërave të ndotura që mbledh në qytetin e Durrësit, i shkarkon në kanalin e hapur të ish-Kënetës.
Në relacionin që mban firmën e drejtorit të përgjithshëm të UKD-së, Spartak Kovaçi, shpjegohet se “… e gjithë zona e Plazhit me anë të 6 stacioneve të pompimit të njëpasnjëshme mbledh ujërat nga zona e Plepave dhe i derdh në një kanal të hapur në Ish-Kënetën e Durrësit”.
Më tej, relacioni shton se, “Stacioni i pompimit nr.7 në dalje të tij i derdh ujërat e zeza në një kanal të hapur, i cili me rrjedhje të lirë për rreth 6 km i dërgon këto ujëra në hidrovorin e Porto-Romanos, për tu derdhur më tej direkt në det, ujërat e zeza derdhen në det pa u trajtuar dhe/ose u monitoruar”.
Kjo është situata deri në vitin 2015 që sjell relacioni që Porta Vendore zbuloi, por se si është përmirësuar ajo prej 2015-ës, mbetet pa koment ndërsa UKD zyrtarisht u përgjigj se refuzonte të jepte informacion, megjithëse kjo përbën shkelje të Ligjit për të Drejtën e Informimit.
Bashkia Durrës apo ndërmarrja në varësi të saj, Ujësjellës Kanalizime Durrës nuk duket të kenë ndërmarrë investime që të zgjidhin përfundimisht situatën. Inspektorati i Mjedisit dhe Ujërave, dega Durrës, pas Kërkesës për Informacion të dërguar nga Porta Vendore, ndërmori një verifikim në terren dhe faktoi mungesën e kanalizimeve.
Sipas inspektoratit nuk është arritur të identifikohen subjektet ndotëse; “…pasi nuk ka një subjekt konkret për të cilin mund të themi se ndot zonën në fjalë, pasi derdhjet (shkarkimet) bëhen edhe nga banorët e zonës përreth sepse nuk ka sistem kanalizimesh”, shton përgjigja.
Mos identifikimi i subjekteve ndotëse apo institucioneve përgjegjëse për situatën nuk ka sjellë gjoba që do të vendosnin përpara përgjegjësisë ndotësit. Inspektorati i Mjedisit Durrës nuk mund të ndëshkojë asnëj person fizik apo juridik që derdh ujërat e ndotura në kanal, për sa kohë që autoriteti publik nuk ja ka ofruar shërbimin e kanalizimeve.
Ligji “Për Trajtimin Mjedisor të Ujërave të Ndotura”, është i qartë në nenin 11, ku shkruan; “Shkarkimet urbane i nënshtrohen trajtimit mjedisor paraprak, i cili përfshin: a) ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për lëvizjen e ujërave të ndotura nga banesat drejt rrjetit të kanalizimeve urbane; b) ndërtimin dhe funksionimin e rrjetit të kanalizimeve të shkarkimeve të lëngëta, në zonat urbane dhe rurale, duke respektuar kriteret e mbrojtjes se mjedisit”.
Bashkia Durrës dhe UKD mbajnë përgjegjësinë e furnizimit me ujë të pijshëm dhe lqargimin e ujërave të ndotura, por ndonëse kjo tarifë mblidhet sipas banorëve, shërbimi nuk ofrohet dhe inspektoratet duken në pafuqishme t’i ndëshkojnë për mungesën e kanalizimeve gati në gjysmën e zonës së banuar të qytetit.
UKD vijon ta ndoti vetë kanalin! Përmes stacionit të pompimit përbri kanalit që përshkon ish-Kënetën, i cili dërgon për përpunim ujëra të ndotura në impiantin që gjendet në fshatin Shën Vlash, nga vëzhgimi i Portës Vendore më datë 1 shtator përmes një dritareje shkarkimi në pjesën fundore, derdheshin ujëra të papërpunuara, që së bashku me ujërat e banesave përreth përfundojnë në Detin Adriatik.
Burime nga UKD që nuk pranuan të identifikohen, sqaruan jo zyrtarisht se kjo nuk ndodh gjithmonë, por sa herë që shihet se ka mbingarkesë stacioni i pompimit dhe për të mos krijuar avari, një pjesë e ujërave shkarkohen pa u përpunuar në kanal.
Ne 7 i ligjit për “Trajtimin Mjedisor të Ujërave të Ndotura”, saktëson detyrimet e UKD-së si trajtues i ujërave të ndotura; “…janë përgjegjës për dëmet që shkaktojnë në shëndet dhe në mjedis. Ata janë të detyruar të dëmshpërblejnë për ndotjen dhe të rehabilitojnë mjedisin me shpenzimet e veta”.
Teksa UKD nuk dëmshpërblen banorët për ndotjen apo rehabilitimin e mjedisit, zyrtarët e bashkisë flasin për masa të marra ndaj subjekteve që ndotin kanalin, ndërsa Inspektorati i Mjedisit mohon të jenë ndërmarrë të tilla veprime.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor përgjigjet se, “Nga bashkëbisedimi i kryer me kryetarin e Njësisë Administrative Nr.6, Z. Serjan Mazreku, u njoftuam se Njësia Administrative në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Mjedisit, ka kryer vazhdimisht ndërhyrje për të identifikuar dhe për të marrë masa ndaj subjekteve që ndotin këtë kanal. Njësia Administrative ka kryer dhe shërbim të mirëmbajtjes së kanalit dhe ka bërë kërkesa të vazhdueshme për të ndërhyrë në këtë kanal”.
Më datë 24 gusht, pas Kërkesës për të Drejtë Informimi nga Porta Vendore, Inspektorati i Mjedisit Durrës, i dërgoi një kërkesë për bashkëpunim 3 institucioneve, Bashkisë Durrës, Bordit të Kullimit Durrës dhe Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, ku evidentohet se kanalet janë të bllokuara dhe si pasojë krijohen ujëra të ndenjura dhe aroma të këqija, duke kërkuar kështu koordinimin për të zgjidhur situatën e krijuar.
Ndërsa banorët e pyetur nga Porta Vendore shprehën zhgënjimin se çdo fushatë elektorale i premtohet mbyllja e kanalit, “Vetëvrasje me ndihmën e bashkisë” është përkufizimi i një prej të rinjve që u angazhuan në projektin që “Lëviz Albania” mbështeti në vitin 2017, me titull “Banorët e ish-Kënetës mobilizohen për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike”.
Ujësjellësi ndëshkohet për mungesë transparence
Porta Vendore i dërgoi Ujësjellës Kanalizimeve Durrës një Kërkesë për të Drejtë Informimi. UKD nuk respektoi afatet ligjore dhe Ligjin për të Drejtën e Informimit. Komisioneri pasi shqyrtoi rastin, ftoi palët në një seancë dëgjimore dhe më pas doli me vendimin numër 29, datë 10.09.2019, ku pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, dokumenteve, vlerësoi se argumentet e parashtruara nga Ujësjellësi për mos vendosjen në dispozicion të informacionit, nuk qëndrojnë.
“Qëndrimi i mbajtur nga Autoriteti Publik [Ujësjellës Kanalizime Durrës] bie ndesh me qëllimin e ligjit numër 119/ 2014, “Për të Drejtën e Informimit”, i cili është garantimi i njohjes së publikut me informacion”, shton argumentimi i vendimit të Komisionerit.
Si rrjedhojë, duke konstatuar se UKD nuk ka caktuar një koordinator për të drejtën e informimit dhe përgjegjësia bie mbi personin që ka refuzuar dhënien e informacionit, që nga dokumentet rezulton se mbajnë emrin dhe firmën e nëndrejtorit të përgjithshëm të UKD-së, Kasem Bejko.
Bazuar në nenin 19, pika 3, të Ligjit për të Drejtë Informimi, Komisioneri dënoi z. Bejko në cilësinë e personit përgjegjës, me gjobë në vlerën 150 mijë lekë. Po ashtu Komisioneri kërkoi nga UKD që brenda datës 17.09.2019, të kthente përgjigje për informacionet dhe dokumentet e kërkuara. Nga UKD deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk u soll përgjigje.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Portavendore.al