Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook lënien e mandatit të deputetit duke dhënë edhe disa shpjegime.
“Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pandaluar, do të vazhdojë të mbaj të hapura dyert e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani”, ka shkruar Haradinaj.
Ai u tregua mirënjohës dhe i falënderoi të gjithë ata që i besuan votën për kryeministër.
“Tani që po përmbyllet ky cikël zgjedhor, dua që të shprehë mirënjohjen time të thellë për secilën nga mbi 100,000 votat e besuara nga Ju, për mua si kandidat për Kryeministër. Përjetësisht falënderues!”, ka thënë Haradinaj në Facebook.
Tutje, Haradinaj tha se votuesve të tij ua ka borxh një Aleancë të strukturuar mirë dhe me kuadro të reja.
“Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës”-ka arsyetuar Haradinaj.
Postimi i plotë:
Tani që po përmbyllet ky cikël zgjedhor, dua që të shprehë mirënjohjen time të thellë për secilën nga mbi 100,000 votat e besuara nga Ju, për mua si kandidat për Kryeministër.
Përjetësisht falënderues!
Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi.
Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës.
Uroj që sa më parë të kemi konstituim të institucioneve, me të njejtën pjekuri politike siç e zhvilluam këtë proces zgjedhor.
Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pandalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyertë e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis.
Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës.
Përgjithmonë i juaji, sa herë kërkon vendi e populli.
Ramush Haradinaj