Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar të hënën në mbrëmje “ABC News” për transmetimin e një videoje ku tregohej një operacion i fundit ushtarak turk kundër civilëve kurdë në veri të Sirisë, e cila në të vërtetë rezultoi se ishte filmuar në Kentucky në 2017.
“Një skandal i madh në ABC News. Ata u kapën duke përdorur pamjet me të vërtetë të frikshme dhe FALSE të bombardimeve të turqve në Siri. Një turp i vërtetë”– shkroi presidenti në Twitter.
Videoja për të cilën “ABC News” raportoi se ishte një sulm në qytetin kufitar të Tal Abyad, u transmetua të dielën në “World News Tonight” dhe botimin e së hënës të “Good Morning America”.
Megjithatë, një analizë krahasuese e publikuar nga një sit i lajmeve teknologjike zbuloi që pamjet në të vërtetë u filmuan në Kentucky. “Është e qartë se videot janë të njëjta”, arrin në përfundim Gizmodo.
Pasi gabimi u nxorr në pah dhe përdoruesit e rrjeteve sociale nisën të shprehin pakënaqësi ndaj rrjetit televiziv, ABC News publikoi një deklaratë ku korrigjohej dhe kërkonte falje.
“I kemi fshirë videot e transmetuara në ‘World News Tonight’ dhe ‘Good Morning America’, që dukej sikur ishin nga kufiri Sirian menjëherë pasi u ngritën dyshime në lidhje me vërtetësinë. ABC News i vjen keq për gabimin”, thuhej në deklaratë.
VINI RE: Ky artikull është përshtatur në shqip me shkurtime nga Breitbart