Pas ndjesës publike për koret raciste të një grupi pseudo-tifozësh kundër lojtarëve me ngjyrë të Anglisë, tani vjen dorëheqja: Krasimir Balakov nuk është më trajneri i Bullgarisë. Lajmin e ka bërë të ditur Federta vendase, që ka pranuar vendimin e trajnerit. Zgjedhja e trajnerit të ri do të bëhet nga zëvendëspresidenti Yordan Lechkov. Ndërkohë, në Sofie janë arrestuar 5 tifozë të tjerë: po studiohet përjashtimi përjetë nga stadiumet.
Vazhdojnë të rrëzohen koka në futbollin bullgar, pas episodeve të turpshme të racizmit gjatë ndeshjes së të hënës, për kualifikueset e Euro 2020 kundër Anglisë. Pas presidentit të Federatës Borislav Mihaylov, sot ishte radha e teknikut Balakov, që zyrtarisht e la detyrën për shkak të rezultateve të dobëta në muajt e fundit, por është e paimagjinueshmë që vendimi nuk është maturuar nga ngjarja kundër Anglisë.
Ndërkohë, autoritetet bullgare vazhdojnë gjuetinë e autorëve të korëve e gjesteve: pasi ndaluan të mërkurën 6 persona, mes të cilëve edhe një djalosh 18 vjecar i akuzuar se është “një hooligan i vërtetë” e që tani rrezikon një dënim deri në 5 vjet burgim, radhën e patën 5 të tjerë të ndaluar sot.
Lajmin e ka komunikuar ministria e Brendshme bullgare, duke saktësuar se edhe për ata akuza është se kanë bërë përshëndetjen naziste e kanë imituar britmat e majmunit për të ofenduar lojtarët anglezë me ngjyrë. “Bëhet fjalë për sjellje të ndaluara – lexohet në komunikatën e ministrisë -, e për këtë janë arrestuar. Policia do të vazhdojë punën e saj”.