Ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të BE-së për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Këtë Berisha e ka konsideruar si goditjen më të rëndë politike në 30 vite për Shqipërinë. Ai bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama, për të cilin shprehet se nuk plotësoi asnjë nga 7 kushtet.
“Shqiperia merr goditjen politike me te rende ne historine e saj 30 vjeçare!
Samiti i kryetareve te shteteve dhe qeverive te BE vendosi: Nuk pranohet hapja e negociatave!
Edvin Mafia i mbylli dyert e BE per Shqiperine!
Miq, nje vendim ogurzi u mor sot per Shqiperine ne Bruksel. Vjet u caktua si date e mundshme per hapjen e negociatave fundi i ketij viti ne rast se plotesoheshin 7 kushtet nga narkoqeveria shqiptare!
Gjate ketyre 16 muajve narkoqeveria e Edvin Mafise nuk plotesoi asnjerin nga 7 kushtet. Perkundrazi pati perkeqesime te medha qe detyruan Bundestagun te shtoje nga 7 ne 9, de fakto 10 kushtet per hapjen e negociatave me Shqiperine.
Kjo detyroi disa vende te BE te refuzojne ne menyre kategorike hapjen e negociatave me Shqiperine.
Jo vetem kaq, por Shqiperia me Edvin Mafine nuk mori asnje date tjeter sado te larget per te shqyrtuar mundesine e hapjes se tyre!
Kjo eshte dhurata e Edvin Mafise dhe narkoshtetit te tij per shqiptaret.
Kjo eshte de facto mbyllje e dyerve te Europes per Shqiperine dhe goditja me fatale e vendit tone ne 30 vitet e fundit!”, shkruan Berisha.
Në Bruksel, ishin 25 vende nga 28 që mbështesnin hapjen e negociatave me Shqiperinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por për t’u hapur negociatat duhet unanimitet. Kancelarja gjermane Angela Merkel doli në një konferencë shtypi nga Brukseli, ku konfirmoi lajmin e hidhur se liderët e BE-së nuk kanë rënë dakord lidhur me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një ndër vendet kryesore që kundështuan hapjen e negociatave, ishte Franca. Presidenti i Francës Emmanuel Macron gjithashtu doli në një konferencë shtypi nga Brukseli për të sqaruar vendimin për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Macron tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë progres, por ka ende punë për t’u bërë. Ai theksoi në veçanti problemin me emigrimin.