Sot Këshilli i Bashkimit Evropian do të japë vendimin lidhur me negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për anëtarësimin në BE.
Liderët e vendeve anëtare të BE-së janë mbledhur në Bruksel në samitin që pritet të marrë edhe vendimin final sa i përket çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Pavarësisht sinjaleve pesimiste që vijnë nga Brukseli, kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e kaluar se fjala e fundit për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian nuk është thënë akoma.
“Gjermania dhe një front i gjerë që mbron idenë se duhen çelur negociatat, dhe nga ana tjetër Franca dhe dy a tre vende që mbrojnë idenë se nuk duhet vazhduar por duhet një qasje e re. Jemi në kushtet ku as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut dhe as gjë nga ato që kemi bërë apo duhet të bëjmë akoma, nuk kanë asnjë lidhje me atë që po debatohet në tryezën e Këshillit Evropian. Fjala e fundit akoma nuk është thënë. Diskutimi vazhdon intensivisht edhe pse qëndrimi i presidentit francez lë pak shpresë për të patur një dritë jeshile sonte. Të presim deri nesër për të kuptuar se ku realisht ndodhet procesi. Nuk ka një përfundim akoma”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama justifikohet duke thënë se refuzimi i shteteve të BE-së nuk ka të bëjë me Shqipërinë por me politikat e tyre.
Në muajin qershor, KE e shtyu dhënien e një vendimi për hapjen e negociatave për në tetor, pasi mes vendeve të unionit kishte mosdakordësi lidhur me Shqipërinë.
Gjatë këtyre muajve, në mediat ndërkombëtare ka patur herë pas here raportime se negociatat nuk do hapen përsëri as në tetor.
Media italiane “TgCom” shkruan se Franca ka vendosur “veton” duke bllokuar kështu hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, duke vënë në dyshim të gjithë procesin e zgjerimit evropian.
Edhe “Ansa” konfirmon se Franca ka vënë veton për hapjen e negociatave, duke theksuar se përveç Parisit, edhe Holanda dhe Danimarka kundërshtojnë hapjen e negociatave vetëm për Shqipërinë.
Presidenti Emmanuel Macron pranoi në një konferencë shtypi me kancelaren gjermane Angela Merkel arsyet që e bëjnë Francën të hezitojë.
“Shqiptarët përbëjnë grupin e dytë më të madh të azilkërkuesve në Francë, në këto kushte është e vështirë t’i shpjegosh popullit, se duhen filluar negociatat me këtë vend”, tha Macron. Merkel nga ana tjetër u shpreh se “shanset nuk janë të mira” për Shqipërinë.
Pas “Jo”-së së prerë të presidentit francez Emmanuel Macron, të njëjtën gjë bëri dje edhe kryeministri i Holandës, Mark Route.
Në një konferencë për mediat, ai tha se për vendin tonë Holanda ka një “JO” të qartë.
“Ju e dini pozicionin tonë. Për Shqipërinë është një JO e qartë. Në qoftë se shikon çfarë do të ndodhë nuk ka avancime ose ndryshime. Në qoftë se shikoni Maqedoninë e Veriut, ata janë në një pozicion më të mirë se Shqipëria. Kanë ndodhur shumë gjëra, por edhe aty ka shumë detyra për t’u përmbushur. Po gjykimi im është se, do të ketë një JO për të dyja vendet. Për Shqipërinë, parlamenti im ka dhënë një Jo të qartë, me të cilën unë bie dakord. Për Maqedoninë e Veriut me pak eksplicite, por kanë ende shumë punë për të bërë”, tha kryeministri holandez.
Po ashtu dhe Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Urusula von der Leyen tha se është zhgënjyese dhe ndjen keqardhje për shtyrjen e zgjerimit të BE-së. Sipas der Leyen nuk ka shenja që të këtë vendim për zgjerimin e BE-së duke sugjeruar kështu se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin një “JO” si përgjigje.
Situata e tensionuar politike në vend nuk është aspak favorizuese për Shqipërinë, ku opozita ka djegur mandatet dhe në zgjedhjet lokale votuesit nuk patën alternativa për të zgjedhur, përveç një kandidati socialist.
Presidenti i vendit Ilir Meta gjatë muajve të verës, ka bërë herë pas here thirrje për dialog mes palëve dhe për zgjidhjen e krizës në politikë, duke përmendur se kjo mund të ndikojë në vendimin e KE-së më 18 tetor. Mirëpo asnjëra nga palët nuk ka pranuar të ulet.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk pranon zgjedhje me Edi Ramën si kryeministër, kurse ky i fundit nuk lëkundet nga zgjedhjet e mbajtura më 30 qershor. Para pak kohësh, Meta tha se do ta dekorojë Ramën nëse Shqipëria merr dritën jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në datën 18 Tetor. Por ai nuk ishte i bindur se kjo kishte gjasa të ndodhte.
Për më tepër edhe nga maxhoranca ka patur sinjale se për Shqipërinë negociata pa kushte nuk do të ketë. Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, akuzoi në një deklaratë për mediat opozitën, se kishte punuar për të dëmtuar procesin e integrimit të vendit në BE përpara vendimit të 18 tetorit.
“Për më tepër ka patur edhe një plan të mirëplanifikuar për të dëmtuar procesin e hapjes së negociatave në qershor me Shqipërinë dhe tanimë në tetor kur pritet të merret vendimi i qartë dhe substancial, për perspektivën europiane të Shqipërisë.”, tha Cakaj pak kohë më parë.
Kryeministri Rama nga ana tjetër, herë pas here ka akuzuar shtetet si Franca, se nuk e kanë me Shqipërinë e cila i ka plotësuar kushtet por me politikat e tyre kundër zgjerimit të unionit./Hashtag.al