Vendosni fjalën kyçe....

Fëmija 11-vjeçar në Siri, Gent Cakaj: Shkon përtej diplomacisë


Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin e Alvi Berishës, 11-vjeçarit që ndodhet në një kamp në Siri pasi e ëma e ndau nga babai dhe e mori me vete për t’iu bashkuar ISIS-it.

Cakaj tha se qeveria është angazhuar maksimalisht për të arritur objektivat, por përsëriti se nuk mund të fliste gjatë për çështje sensitive si kjo.

“Ne jemi angazhuar maksimalisht për të realizuar këtë objekti. Është çështje e ndjeshme dhe nuk mund të flas për këtë rast”, tha Cakaj.

Sipas ministrit, kthimi i Alvit në Shqipëri shkon përtej diplomacisë.

“Kërkoj mirëkuptimin tuaj që të bëj thirrje që ky rast të mos keqpërdoret. Pasi shkon përtej diplomacisë. Edhe vendet e tjera dhe të rajonit do t’i kishin kthyer njerëzit në vendet përkatëse. Është çështje që duhet të bëhet në koordinim të ngushtë. Gjuha ime është e përgjithshme, në raport me këtë proces”, tha ministri.

Rasti i Alvinit tërhoqi shumë vëmendje pasi u transmetua në emisionin investigativ italian ‘Le Iene’. Prej 5 vitesh, Afrim Berisha nuk reshti duke kërkuar djalin e tij, prej të cilit ka marrë vetëm një letër në të cilën i shkruante se e kishte marrë malli dhe donte të kthehej  pranë babait. Gruaja e tij Valbona, e kishte ndarë djalin nga babai dhe dy motrat e tij më të rritura për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri. Alvin u gjet i gjallë  në një kamp në Siri dhe babai i tij arriti ta takonte falë përpjekjeve të stafit të emisionit. Por Afrim Berisha nuk mundi ta merrte dot djalin me vete, për shkak se duhej ndërhyrja nga institucionet shqiptare.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *