Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari ka reaguar lidhur me historinë e Alvinit, fëmijës shqiptar që ndodhet në një kamp në Siri.
Myftiu i bëri thirrje shtetit që të kthejë në atdhe familjet shqiptare që u mashtruan nga propaganda e ISIS-it.
Përmes një deklarate për mediat, myftiu i Shkodrës kërkoi në veçanti kthimin në shtëpi të alvinit, historia e të cilit preku jo vetëm shqiptarët pasi u publikua rasti i tij në “LE IENE”.
“Familjet e shqiptarëve të gënjyer apo të mashtruar nga propaganda false të atyre ditëve të kthehen një orë e më parë në vendin e tyre. Sepse nuk kanë faj fëmijët e tyre për gabimet e prindërve. Normalisht diplomacia me të gjitha format duhet të interesohet dhe të luajë një rol vendimtar qoftë edhe për kthimin e një fëmije. Të çdo fëmije, por edhe çdo shqiptar është i shenjtë për tokën tonë. Ne si komunitet fetar i qëndrojmë thirrjeve tona dhe nuk tërhiqemi. As nuk e ndryshojmë thirrjen tonë për asnjë arsye sepse është thirrje e drejtë dhe ajo që ka ndodhur në Siri gjatë këtyre viteve është një zullum i madh të cilin nuk e kemi dëshiruar dhe nuk e pranojmë dhe nuk e pranon asnjë mendje e shëndoshë”, tha Myftiu i Shkodrës në një prononcim për‘News24’.
Rasti i Alvinit tërhoqi shumë vëmendje pasi u transmetua në emisionin investigativ italian ‘Le iene’. Prej 5 vitesh, Afrim Berisha nuk reshti duke kërkuar djalin e tij, prej të cilit ka marrë vetëm një letër në të cilën i shkruante se e kishte marrë malli dhe donte të kthehej pranë babait. Gruaja e tij Valbona, e kishte ndarë djalin nga babai dhe dy motrat e tij më të rritura për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri. Alvin u gjet i gjallë në një kamp në Siri dhe babai i tij arriti ta takonte falë përpjekjeve të stafit të emisionit. Mirë Afrim Berisha nuk mundi ta merrte dot djalin me vete, për shkak se duhej ndërhyrja e një diplomati shqiptar.