Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e gjyqtarëve reagon pas kërcënimit me bombë ndaj Markelian Kuqos: Këto ngjarje cënojnë ushtrimin e detyrës


Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar pas kërcënimeve për bombë ndaj gjyqtarit të Korçës,  Markelian Kuqo.

Përmes një deklarate, shoqata thotë se të tilla ngjarje cënojnë ushtrimin e detyrës në mënyrë të rregullt të gjyqtarëve.

“Ngjarje të tilla, jo vetëm cenojnë ushtrimin në mënyrë të rregullt dhe efiçente të detyrës nga ana e gjyqtarëve por krijojnë edhe një pështjellim në jetën private dhe familjare të tyre. Nga ana tjetër, kur precedentë të tillë të rrezikshëm, shoqërohen me mosreagimin e organeve kompetente për ndjekjen dhe hetimin e tyre, situata bëhet akoma edhe më të rëndë e shkurajuese për trupën gjyqësore, për kryerjen e misionit të tyre fisnik të dhënies së drejtësisë.” thuhet në deklaratën e gjyqtarëve të Shqipërisë, ku mes të tjerash u bëhet apel të gjithë organeve kompetente që të veprojnë me shpejtësinë dhe përgjegjësinë e duhur, që personat të cilët qëndrojnë pas ngjarjeve të tilla, të marrin përgjigjen e duhur ligjore e ato të mos përsëriten më në të ardhmen.

“Gjithashtu, kjo shoqatë fton aktorët politikë, dhe në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv, që të tregohen më të përmbajtur në raport me deklaratat dhe qasjen e tyre ndaj pushtetit gjyqësor. Së fundi, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe organeve të tjera të ngarkuara, që në zbatim të detyrimeve të nenit 20 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe akteve nënligjore të dala në bazë e për zbatim të tij, të vlerësojnë situatën me seriozitet dhe të marrin të gjitha masat duhura për mbrojtjen e gjyqtarit në fjalë.”, përfundon deklarata e gjyqtarëve.

Gjyqtari i Korçës, Markelian Kuqos, mori një telefonatë pak ditë më parë nëpërmjet të cilës sinjalizohej për vënien e një bombe në automjetin e tij.

Sipas autoriteteve telefonata është kryer nga burgu i Drenovës, nga një person ndaj të cilit është vendosur masa “mjekim i detyruar”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *