Rreth 20,000 persona dolën në rrugë në Bangladesh për të kërkuar dënimin me vdekje për një burrë hindu, i cili u arrestua pasi u akuzua se kishte postuar një blasfemi në “Facebook” për Profetin Muhamed,ndërsa protestat përshkallëzuan dhe u bënë të dhunshme.
Policia tha se përdori municion të vërtetë për t’u vetëmbrojtur kundër një turme adhuruesish myslimanë, pasi protestuesit u bënë agresivë dhe filluan të hedhin gurë.
Të paktën, katër njerëz u qëlluan për vdekje dhe rreth 50 të tjerë u plagosën, në një incident që ndodhi në qytetin Borhanuddin, në ishullin më të madh të vendit, Bhola.
Disa prej të plagosurve ishin zyrtarë të zbatimit të ligjit, tha policia. Të lënduarit u dërguan në një spital aty pranë, ndërsa mjekët paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet. Të paktën shtatë persona ishin në gjendje kritike dhe po luftonin për jetën e tyre, i thanë ata “AFP”.
Një i ri hindu u arrestua të shtunën me akuzat se kishte postuar diçka fyese në “Facebook” për Profetin Muhamed dhe kishte nxitur tensionin fetar.
Sidoqoftë, i dyshuari mohoi çdo keqbërje dhe insistoi se llogaria e tij të ishte vjedhur.
Policia hetoi këto pretendime, duke arrestuar tre persona për dyshimin se kishin ndërhyrë në faqen e mediave sociale të një të riu.