Sot do të zhvillohet ceremonia e diplomimit të oficerëve të rinj të Policisë, ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Por ky lajm nuk është edhe aq i gëzueshëm për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, pasi artistët e kanë kaluar gjithë mbrëmjen të ngujuar në godinën e Teatrit nga frika se efektivët e policisë do ta rrethojnë për të mos e lëshuar më.
Ceremonia e diplomimit do të mbahet te Ministria e Brendshme, para sheshit të Teatrit, ndërkohë që vitet e mëparshme zhvillohej te Akademia e Rendit. Kjo është arsyeja pse artistët dyshojnë se kjo bëhet për të marrë Teatrin dhe për të çuar përpara planin për ta shembur.
Artistët dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në mbrojtje të Teatrit.
“Nesër paradite rreth orës 09.00 -10.00 Kryeministri Rama do të marrë pjesë ne ceremoninë e diplomomit të oficerëve të rinj të policisë e cila do të zhvillohet tek Ministria e Brëndshme para sheshit të Teatrit. Kjo ceremoni është zhvilluar çdo vit në ambjentet e Akademisë së Rendit. Nga informacionet që kemi do të vijnë forca të shumta policie, të cilat do të rrethojnë Teatrin Kombëtar nën justifikimin e ceremonisë për të mos e lëshuar më. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit së bashku me mbështetësit e saj do të kalojnë sonte natën dhe nesër gjithë ditën brënda sallës dhe në sheshin e Teatrit Kombëtar, në mbrojtje të tij.
U bëjmë thirrje mbështetësve të kauzës së Teatrit të na bashkohen sot natën dhe sidomos nesër në mëngjes me praninë e tyre.
Ne nuk do ta lëshojmë Teatrin.”, thuhet në njoftimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Më poshtë keni edhe disa foto te sheshi para Teatrit, ku policia ka nisur pregatitjet e ceremonisë së diplomimit.
Artistët shprehen se nuk do të bëjnë provokime, por ama do të përballen me forcat e policisë jo vetëm në kuptimin fizik por edhe atë të fjalës së lirë./Hashtag.al