Një grup emigrantësh kërkuan të dilnin nga një qendër pritëse për emigrantët në Maltë, duke u vënë flakën të paktën 5 mjeteve të policisë e duke plagosur një polic.
Trazirat ndodhën mbrëmjen e së dielës në një kamp në Hal Far, ku emigrantët pushtuan një ish-kazermë të ushtrisë britanike pranë aeroportit kryesor të ishullit.
Ata dogjën disa dhoma dhe makina të personelit dhe si rezultat, arritën të merrnin nën kontroll një pjesë të kompleksit për pak kohë.
Trazirat u shtrinë edhe në orët e para të së hënës, pasi qendra e ndalimit kërkoi ndihmën e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe vetëm pas kësaj situata u normalizua.
Një seri incidentesh të ngjashme kanë ndodhur në qendrën fqinje të pritjes, në Hal Safi gjatë muajve të verës dhe në shtator.