Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti britanik bllokon votimin për marrëveshjen Brexit


Kryetari i Parlamentit britanik John Bercow bllokoi të hënën një votim të ri në Dhomën e Komuneve mbi Brexit-in, ndërlikimi më i fundit në përpjekjet e kryeministrit Boris Johnson për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Evropian.

Ligjvënësit britanikë nuk e pranuan planin e zotit Johnson për daljen nga BE-ja të shtunën. Të hënën zoti Bercow tha se përpjekja për të mbajtur një votim të ri “nuk do të debatohet sot, pasi një gjë e tillë do të ishte përsëritje dhe çorientuese”.

Javën e kaluar zoti Johnson arriti një marrëveshje të re për Brexit-in me BE-në, por ligjvënësit votuan për shtyrjen e miratimit të marrëveshjes derisa të miratohet ligji që qartëson kushtet e ndarjes së Britanisë nga BE-ja pas 46 vitesh anëtare e tij.

Zoti Johnson planifikon të prezantojë masën kryesore të qeverisë që lidhet me Brexit më vonë gjatë ditës së sotme çka do të pasohet nga debati e votimi ditën e martë. Por kundërshtarët e Brexit-it thonë se ata do të përpiqen ta pengojnë planin e zotit Johnson duke propozuar ndryshime që për përkrahësit e Brexit-it do të ishin të papranueshme.

Është e paqartë nëse qeveria i ka votat apo kohë të mjaftueshme për të miratuar legjislacionin përpara largimit të planifikuar të Britanisë nga BE-ja më 31 tetor.

Ligjvënësit britanikë po debatojnë nëse do të largohen me ose pa marrëveshje me vendet e tjera të BE-së, apo rreth mundësive për zhvillimin e një referendum të ri. Votuesit britanikë e mbështetën fort Brexit-in në një referendum që u mbajt në vitit 2016, por që prej asaj kohe udhëheqësit britanikë nuk kanë arritur të hartojnë një plan për shkëputje nga BE-ja që do të merrte mbështetjen e Dhomës së Komunëve.

Ish-kryeministrja Theresa May dha dorëheqjen pasi parlamenti hodhi poshtë tre herë propozimet e saj për Brexit-it.

Sipas një ligji që lidhet me Brexit-in, zoti Johnson i dërgoi një letër BE-së duke i kërkuar shtyrje të shkëputjes deri më 31 janar, por ai nuk e nënshkroi atë. Ai dërgoi një tjetër shënim të nënshkruar këtë herë, ku shkruante se kundërshtonte çdo vonesë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *