Vendimi për Mihal Kokëdhimën nuk ndryshon. Gjykata e Apelit të Vlorës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për pronarin e restorantit në Porto Palermo, i cili u filmua duke u hedhur mbi furgonin me disa turistë spanjollë.
Mihal Kokëdhima akuzohet për veprat penale ‘kanosje’, ‘shkatërrim i prone’ dhe për ‘dëmtime të tjera me dashje’, pasi gjatë sezonit turistik, ai u filmua mbi një furgon turistësh, të cilët ishin larguar pa paguar.
Ai dyshohet se kanosi dhe terrorizoi disa turistë spanjollë, të cilët kishin shkuar tek lokali në pronësi të tij.
Para trupës gjykuese Kokëdhima nuk i ka pranuar akuzuat. Avokatët e tij Kujtim Cakrani dhe Erion Besimaj kërkuan një masë më të lehtë duke ofruar garanci pasurore deri në 3 mijë euro, por Gjykata nuk ndryshoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ .
Lokali i Kokëdhimës në Porto Palermo, u shemb nga IKMT-ja pas incidentit me turistët, me arsyetimin se objekti nuk ishte i legalizuar. Edhe pse lokali kishte shumë vite që ishte lënë të operonte pa legalizim, u desh të ndodhte një incident që IKMT të kujtohej.
Sipas Kokëdhimës, ai nuk e ka thyer xhamin për të dëmtuar turistët, por për t’u mbajtur për vete. Ai thotë se thjesht kishte dashur t’i ndalonte turistët të largoheshin pa paguar. Por pamjet e publikuara, kur Kokëdhima hidhet mbi furgon dhe goditi xhamin me grusht që u bënë virale në rrjet, nuk janë interpretuar si të favorshme për të.
Kokëdhima i gjakosur vazhdoi mbi xhamin e përparmë të makinës për tre kilometra duke rrezikuar jetën. Në dëshmitë e tyre, turistët dhe shoqëruesit shqiptarë thonë se kishin frikë të ndalonin, ndërsa Kokëdhima se ata e kanë tërhequr zvarrë.