Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj janë përplasur me kryeministrin Edi Rama, në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PS-së, të paktën sipas zbardhjes së bërë nga gazeta “Panorama“.
Sipas gazetës, në fund të mbledhjes, Majko dhe Xhafaj kërkuan dje që Kryesia e PS-së të dalë me një qëndrim në lidhje me mos hapjen e negociatave.
Fillimisht ishte ish-ministri Xhafaj, që kërkoi daljen me një qëndrim nga kryesia për çështjen e negociatave. Më pas Majko, i cili madje ka kritikuar ministrin Gent Cakaj, për deklaratën që bëri pas kthimit nga Brukseli kur tha se nga Maqedonia kishte premtime për hapje negociatash ndërsa nga Shqipëria për përpjekje dhe jo negociata të sigurta.
“Genci nuk duhet të bënte atë deklaratë, sipas të cilit, “unë (ai) dhe Kryeministri Rama nuk kemi premtuar hapjen e negociatave”, tha Majko.
Sipas Majkos, shqiptarët prisnin vetëm hapjen e negociatave dhe asnjë përgjigje tjetër: “Prandaj, unë them se ne si kryesi duhet të dalim me një qëndrim për këtë vendim të Këshillit Europian dhe duhet të kemi një qëndrim në logjikën edhe të zhvillimeve në rajon”.
Në Lryesinë e PS-së, dje u diskutua për përcaktimin e një norme të re statutore, siç është zgjedhja në krye të PS-së së bashkisë të dy kryetarëve, një burrë dhe një grua. Ndryshimet statutore pritet të miratohen në asamblenë kombëtare dhe më pas në kongresin zgjedhor të PS-së.