Vendosni fjalën kyçe....

Kroacia plotëson kushtet për në Schengen


Komisioni Evropian konfirmoi se Kroacia i ka përmbushur të gjitha kushtet teknike për t’u bërë anëtare e zonës së lëvizjes së lirë – Schengen.

“Sot e përgëzojmë Kroacinë. Ajo i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar përmbushjen e të gjitha pjesëve përkatëse të Marrëveshjes së Schengenit”, tha komisionari evropian për Punë të Brendshme, Dimmitris Avramopulous.

Ai u zotua se institucioni i tij do të vazhdojë të mbikëqyrë përparimin e Kroacisë në këtë drejtim dhe tha se vëmendje e posaçme do t’i kushtohet kontrollit të kufijve të jashtëm evropianë, “veçanërisht kufirit me Bosnje e Hercegovinën”.

Avramopulous tha se ka disa shqetësime në lidhje me kufirin me Bosnjën dhe porositi Zagrebin zyrtar se hyrja në zonën Schengen përfshin shumë përfitime, por edhe detyrime.

“Një nga detyrimet është kontrolli i kufirit të përbashkët evropian”, theksoi Avramopulous.

Kroacia ka aplikuar për hyrje në zonën Schengen në vitin 2015.

Me konstatimin e Komisionit Evropian se ky vend i ka përmbushur të gjitha kushtet, çështja kalon në nivelin e Këshillit të Bashkimit Evropian, ku vendet anëtare duhet të konfirmojnë njëzëri pranimin e një anëtari të ri në zonën Schengen.

Schengen është zona më e madhe pa kufij në botë. Ka 26 shtete anëtare, nga të cilat 4 nuk janë anëtare të plota të BE-së, por konsiderohen si vende të asociuara.

Që nga viti 2013, Kroacia është shteti më i ri anëtar i BE-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *