Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Andrew Scheer, rivali që ia solli ngushtë Justin Trudeau-t në këto zgjedhje


Udhëheqësi i konservatorëve Andrew Scheer e zhvilloi fushatën zgjedhore të partisë së tij si një referendum mbi performancën e kryeministrit Justin Trudeau dhe liberalëve gjatë katër viteve të fundit.

Justin Trudeau fitoi zgjedhjet por me shumë vështirësi dhe qeverinë nuk e krijon dot i vetëm pa një koalicion. Ai duhej të ishte fituar 170 vende në Parlament në mënyrë që të qeveriste i vetëm, por ai ka marrë vetëm 156.

Andrew Scheer ishte rivali i tij kryesor, i cili për hir të së vërtetës ia solli shumë ngushtë Trudeaut. Partia Konservatore duket se ka fituar votën popullore pjesërisht për shkak të votave në Perëndim. Në fjalimin e tij para mbështetësve të partisë të hënën, Scheer tregoi se ai nuk do të hiqte dorë nga pozicioni si udhëheqës i partisë.

“Edhe pse rezultati i sotëm nuk është ai që donim, unë jam gjithashtu tepër krenar, krenar për ekipin tonë dhe krenar për ekipin më të madh dhe më të fortë Konservator që do të dërgojmë në Otava.

Sonte, konservatorët e kanë zënë ngushtë Justin Trudeau dhe z.Trudeau, kur qeveria juaj të bjerë, konservatorët do të jenë të gatshëm dhe ne do të fitojmë.”, tha Scheer, citon CBC.

Edhe pse Scheer dështoi të fitojë shumicën e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve, konservatorët kthehen në Parlament me afro 20 vende më shumë sesa kishte fituar ish-kryeministri Stephen Harper në vitin 2015.

“Kush është Andrew Scheer?” ka qenë pyetja më e shpeshtë kur ai erdhi në krye të konservatorëve në vitin 2017.

Në vazhdën e zgjedhjeve të vitit 2019, ekipi i fushatës konservatore e ka ndërtuar imazhin e Scheer si një baba i rregullt në kontrast me personalitetin e liderit liberal Justin Trudeau.

“Unë mendoj se ai shfaqet si një njeri familjar dhe ai është i sinqertë për këtë. Ju e hasni atë në qytet dhe ai shpesh është jashtë dhe për ngjarje familjare”– tha Murray Mandryk, një kolumnist politik, citon GlobalNews.

Andrew Scheer ka dy motra

Scheer lindi dhe u rrit në Otava. Ai ishte djali i Mary Gerarda Therese, një infermiere, dhe James D. Scheer, një bibliotekar. Në vitin 1998, Scheer filloi studimet e tij për kriminologji, shkenca politike dhe histori në Universitetin e Otavës.

Pasi takoi gruan e tij të ardhshme Jill Ryan në Universitetin e Otavës, Scheer u zhvendos në qytetin e saj të lindjes në Regina dhe vazhdoi studime të tjera në Universitetin e Reginas, ku zhvilloi disa kurse.

Scheer u martua me Ryan në Katedralen e Shenjtë të Rruzares në Regina në vitin 2003 dhe kanë pesë fëmijë së bashku.

Scheer është një besimtar katolik i cili merr pjesë rregullisht në meshën e së Dielës dhe fëmijët e tij ndjekin një shkollë private me bazë besimin katolik.

Rikthehemi te politika… rruga e Scheer nga bota e punës në Parlament ishte më e shkurtër se ajo e Trudeau. Ai u bë një nga deputetët më të rinj për herë të parë në vitin 2004, në moshën 25 vjeç.

Deputeti i Regina-s më pas u bë kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve në 2011-ën në moshën 32 vjeçare.

Anëtarët e partisë konservatore u detyruan të zgjedhin një drejtues të ri pas zgjedhjeve zhgënjyese të vitit 2015. Në fillim të asaj gare udhëheqjeje, Scheer u bë një nga 17 kandidatët që donin të zinin vendin e Stephen Harper.

Me vëmendjen e mediave të përqendruar te kandidatët e tjerë si Kellie Leitch, Kevin O’Leary dhe Maxime Bernier, ishte një surprizë kur Scheer në heshtje fitoi një sasi të konsiderueshme të mbështetjes së anëtarëve.

Ai e mundi Bernierin me një rezultat të ngushtë me 2 pikë diferencë, në votimin e 13-të dhe të fundit. Kur Scheer  erdhi në krye të partisë së tij, liberalët ende ishin shumë lart në votime. Edhe vetë Scheer e pranoi këtë në fjalimin e sotëm përpara kanadezëve, kur tha se diferenca mes dy partive ishte shumë e madhe, por konservatorët arritën të ngriheshin në një kohë të shpejtë. Ai tha se kur erdhi Justin Trudeau në pushtet, analistët politikë parashikon 12 vite të tij në pushtet, por rezultati i sotëm tregoi të kundërtën dhe e vuri kryeministrin në vështirësi duke mos arritur të fitojë 170 vendet që i duheshin në Parlament.

Scheer arriti të shënojë disa fitore si lider i opozitës. Ai përfitoi dhe nga skandalet në partinë liberale, që nga udhëtimi i keq i Trudeaut në Indi dhe nga gabimet etike si udhëtimi i Trudeau në një ishull privat në Bahamas.

Dhe me çështjen SNC-Lavalin, Scheer u përpoq ta pikturojë Trudeaun si një njeri të paaftë për të qeverisur pasi i bëri presion ministrit të tij të drejtësisë. Por pavarësisht kësaj Trudeau nuk e lëshoi karrigen e kryeministrit.

VINI RE: Informacionet për këtë artikull janë bazuar nga CBC dhe GlobalNews.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *