Presidenti i vendit Ilir Meta ka publikuar sot listën me gjashtë kandidatët, që kërkojnë të zënë një vend në gjykatën Kushtetuese.
Sipas listës së publikuar nga Meta, emrat që kanë shprehur interes për garën janë: Dedë Kasneci, Envi Hicka, Prelë Martini, Shaqir Hasanaj, Vasil Bendo dhe Vjosa Bodo Mujo.
Njëri prej tyre do të zgjidhet si anëtar në Gjykatën Kushtetuese, pas shqyrtimit të kandidaturave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Pak ditë më parë presidenti vendosi që të dekretojë emërimin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese të prokurorit, Besnik Muçi megjithëse ky i fundit nuk i kishte mbyllur ende hesapet me vettingun për shkak të ankimimit të Komisionerit Publik, për vendimin e KPK-së për ta konfirmuar në detyrë.
Besnik Muçi bëri betimin para presidentit Ilir Meta, duke u bërë kështu anëtari i parë i gjykatës Kushtetuese.
NJOFTIMI
Institucioni i Presidentit të Republikës, bën me dije se:
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, pasi u njoh me njoftimin nr.530 prot, datë 26.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Vendimin e KED-së nr. 137, datë 21.09.2019, konstatoi se:
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në përfundim të procedurave të verifikimit të kandidaturave të paraqitura për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “Vakancë e parakohshme”, e krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit, të ish-gjyqtarit zotit Besnik Imeraj e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr.10723, datë 07.02.2018, ka evidentuar se nga 15 (pesëmbëdhjetë) kandidatë që kishin shprehur interesin për konkurim, ngelën në garë vetëm 2 (dy) kandidatë të lejuar për kandidim.
Ndodhur në këto kushte, pasi vlerësoi informacionin dhe njoftimin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11291, datë 27.09.2019, miratoi menjëherë:
– Rishpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me qëllim plotësimin e “Vakancës së parakohshme”, të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit, zotit Besnik Imeraj.
Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant (18.10.2019), rezulton se për këtë vakancë kanë aplikuar dhe kanë shprehur ineteresin shtetasit e mëposhtëm:
1. Zoti Dedë Kasneci
2. Zoti Envi Hicka
3. Zoti Prelë Martini
4. Zoti Shaqir Hasanaj
5. Zoti Vasil Bendo
6. Zonja Vjosa Bodo Mujo
Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me qëllim që ky organ të revokojë/shfuqizojë Vendimin nr.137, datë 21.09.2019 të pezullimit të procedurës së verifikimit, si dhe vijimin e procesit për verifikimin dhe vlerësimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit.