Këshilli i Lartë Gjyqësor ka skualifikuar Theodhori Sollakun nga gara për në Gjykatën e Lartë. Nuk dihet ende se pse KLGJ vendosi skualifikimin e ish-kryeprokurorit, por mendohet se ka lidhje me largimin e ti si kryeprokuror 12 vite më parë. Ai u shkarkua në vitin 2007 nga detyra Prokuror i Përgjithshëm.
Tani ka afat 5 ditë për të ankimuar vendimin e KLGJ në Apelin Administrativ.
“Sot më datë 22.10.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme. Më konkretisht, Këshilli pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni për Vlerësimin e Statusit Individual dhe Karrierën e Inspektorëve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, miratoi statusin individual për 7 nga 9 inspektor të ish-KLD-së. Dy prej tyre do të trajtohen në mbledhjen pasardhëse.
Në vijim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorin për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatit nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi skualifikimin e kandidatit z. Theodhor Sollaku. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.”, thuhet në njoftlimin e KLGJ-së.
Me “skualifikimin” e Sollakut, në garë aktualisht janë shtatë kandidatë të tjerë: Rezarta Melo; Ervin Pupe; Kestrin Katro; Sokol Sadushaj; Ilir Panda; Ardita Alsula; Jetmira Rragami. Fillimisht në garë për Gjykatën e Lartë kanë qenë 22 kandidatë, ndërsa KLGJ pasi verifikoi të gjithë veprimtarinë e tyre, vendosi të kualifikojë vetëm 8 prej tyre.