Këshilli Rajonal i Lombardisë ka miratuar sot unanimisht një mocion, përmes të cilit i kërkon qeverisë italiane dhe në veçanti Ministrisë së Punëve të Jashtme, të bëjë gjithçka për të kthyer në Itali djaloshin shqiptar Alvin Berisha, i cili aktualisht ndodhet në një kamp në Siri.
Mocioni u iniciua nga këshilltarja e Forza Italia, Paola Romeo e cila tha për mediat italiane:
“E pamundur të mos prekesh nga një histori e tillë. Ne po flasim për një fëmijë që ka lindur dhe rritur në zonën tonë, duke bërë të njëjtën jetë si fëmijët tanë.
Alvini gjendet i vetëm në mes të një lufte tjetër, që mund të lërë shenjë të thella. Institucionet kanë detyrën të veprojnë, duke i mundësuar të voglit rikthimin në Itali pranë familjes. I kërkojmë qeverisë të vlerësojë nëse ekzistojnë kushtet për t’i dhënë shtetësinë italiane Alvinit të vogël, familja e të cilit është plotësisht e integruar në shoqërinë lombarde. Përparësia e Rajonit të Lombardisë është rikthimi i Alvinit në shtëpi, ku e presin njerëz që e duan”-tha Romeo.
Sot Alvin e gjen veten të vetmuar në një ish-kamp terrorist, me një luftë tjetër që mund të lërë plgë të thella. Institucionet kanë për detyrë të veprojnë, duke lejuar që fëmija të kthehet në Itali nga familja e tij, shkruajnë mediat në vendin fqinj.
Historia e Alvinit është një histori dramatike. Djali i Afrim Berishës dhe i Valbona Berishës (me origjinë shqiptare) lindi dhe u rrit në Barzago, por në dhjetor të vitit 2014 nëna e tij, e cila u nis për në Siri për t’u bashkuar me Kalifatin, e mori me vete.
Nëna vdiq gjatë një bombardimi ndërsa Alvin ndodhet në kampin e madh të refugjatëve Al Hol, në veri-lindje të Sirisë, 13 kilometra nga kufiri verior i Irakut dhe 50 në jug të kufirit turk. I plagosur në këmbë, pikërisht atje babai Afrim ishte në gjendje ta takonte falë ndërhyrjes së gazetarëve të “Le Ienes”, por jo ta merrte me vete./Hashtag.al