Vendosni fjalën kyçe....

Sezoni i pakënaqësive – Shpërthejnë protestat nëpër botë


Të hënën ishte Bolivia në protestë- njerëzit e zemëruar u përleshën me policinë pasi opozita tha se ishte mashtruar në zgjedhjet që u fituan nga presidenti aktual Evo Morales.

Javën e kaluar, rrugët e kryeqytetit të Kilit, Santiago, ishin në kaos pasi protestuesit e zemëruar nga rritja e tarifave të biletave të transportit publik grabitën dyqanet, i vunë flakën një autobusi dhe nxitën presidentin të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

 Në fillim të këtij muaji, edhe udhëheqësi i Ekuadorit bëri të njëjtën gjë pas trazirave të dhunshme të shkaktuara nga vendimi për t’i dhënë fund subvencioneve të karburantit.

Dhe deri tani përmendëm vetëm Amerikën e Jugut.

Hong Kongu gjithashtu ka qenë i përfshirë nga protestat prej disa muajsh; kryeqyteti i Libanit, Beirut, po ashtu është në gjendje të keqe; pjesë të Barcelonës javën e kaluar i ngjanin një fushë beteje për shkak të protestave kundër dënimit me burg të liderëve katalanas dhe dhjetëra mijëra britanikë marshuan nëpër Londër për të protestuar për Brexit në fundjavë.

Protestat janë ndezur në të gjithë botën gjatë muajve të fundit. Secila ka pasur shkaqet e veta, por ka ngjashmëri. Qeveritë, ekonomistët dhe njerëzit e thjeshtë po marrin vëmendje.

EKONOMIA

Në të paktën katër vende të përfshira nga protestat e dhunshme, arsyeja kryesore për kryengritjen ka qenë ekonomia.

Qeveritë në Kili dhe në Ekuador janë përballur me zemërimin e njerëzve pasi u përpoqën të ngrinin tarifat dhe t’i jepnin fund subvencioneve të karburantit.

Kur përleshjet përfshinë qytetin e Quitos, presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno u bëri thirrje për bisedime udhëheqësve indigjenë që kishin mobilizuar njerëzit për të dalë në rrugë.

Brenda pak minutash, organizatori kryesor i protestës Jaime Vargas e kishte refuzuar atë takim.

“Ne po mbrojmë njerëzit”, tha Vargas në një video të drejtpërdrejtë në Facebook.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë bërë shfaqjen më të madhe të mosmarrëveshjeve në dekada në Bejrut. Njerëz të të gjitha moshave dhe feve atje u bashkuan për të protestuar për përkeqësimin e kushteve ekonomike dhe pushtetit të korruptuar.

Faktorë të ngjashëm ishin edhe pas trazirave vdekjeprurëse në Irak që u shënuan në fillim të tetorit. Më shumë se 100 njerëz humbën jetën në protestat në Irak, ku shumë irakenë, veçanërisht të rinj, mendojnë se kanë parë pak përfitime ekonomike që pas mundjes së militantëve të Shtetit Islamik në vitin 2017.

Ndërsa snajperët hapnin zjarr nga çatitë interneti u mbyll për të frenuar rrjedhjen e informacionit midis protestuesve.

“Plumbat nuk na trembin. Ata nuk i trembin Irakianët. Kjo do të bjerë mbi kokat e tyre”– tha një protestues në Bagdad.

Pamje nga protesta në Irak

“NA JEPNI AUTONOMI”

Në Hong Kong ka pesë muaj që zhvillohen protesta të mëdha dhe shpesh të dhunshme për shkak të frikës se Pekini po shtrëngon kontrollin e tij në territor, në krizën më të keqe politike që kur Britania ia ktheu përsëri Kinës në 1997.

Protestat kanë përshkallëzuar në dhunë, me aktivistë që shkatërronin dyqanet dhe bankat, duke synuar veçanërisht ato me lidhje kontinentale.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës e qindra plumba gome ndaj aktivistëve që hidhnin tulla dhe benzinë.

Pamje nga protesta në Hong Kong

Ngjarjet në Hong Kong kanë tërhequr krahasime me demonstrimet e mbajtura në Katalonjë ditët e fundit. Njerëzit janë të zemëruar nga përpjekja e qeverisë për të shtypur dëshirën e tyre për autonomi më të madhe nga pjesa tjetër e Spanjës, nëse jo pavarësi të plotë.

Protestuesit i vunë zjarr veturave dhe hodhën bomba benzine ndaj policisë në Barcelonë, pas dënimit me 9-13 vjet burg të drejtuesve katalanas, të cilët kërkuan të shpallnin pavarësinë.

Demonstruesit u përqëndruan në pika strategjike, veçanërisht duke rrethuar aeroportin ndërkombëtar dhe shkaktuar anulimin e më shumë se 100 fluturimeve.

Kjo ndodhi disa ditë pas një aksioni të ngjashëm në Hong Kong, duke sjellë sugjerime se protestat po ndjekin dhe madje po kopjojnë njëra-tjetrën në mediat sociale.

“Në Hong Kong ata kanë bërë mirë, por ata janë më të çmendur”– tha Giuseppe Vayreda, një 22-vjeçar, student i artit që protestonte në Katalonjë.

Të enjten, protestuesit në Hong Kong planifikojnë një miting për të treguar solidaritet me ata që demonstrojnë në Spanjë.

LIDERË OSE JO

Në disa raste, janë individët që ngrihen në ballë të lëvizjeve protestuese, duke përdorur mediat sociale për të kapërcyer mesazhin e tyre.

Muajin e kaluar në Egjipt, ku demonstratat ishin relativisht të vogla, katalizatori i trazirave kundër Presidentit Abdel Fattah al-Sisi ishte një egjiptian që postonte video nga Spanja.

Aktivistja Greta Thunberg, një adoleshente suedeze, frymëzoi miliona njerëz të marshojnë nëpër qytete në mbarë botën në shtator për të kërkuar që liderët politikë të veprojnë për të ndaluar ndryshimin e klimës. Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në një park në New York vetëm për të dëgjuar fjalimin e saj.

“Nëse ju takoni një grup të vogël njerëzish që ndjehen të kërcënuar nga ne, atëherë kemi disa lajme shumë të këqija për ju. Sepse ky është vetëm fillimi. Ndryshimi po vjen pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo “, janë fjalët e saj.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Reuters/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *