Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptarët (veçanërisht durrsakët) më dembelët e Europës, 80% nuk bëjnë asnjë aktivitet fizik


Vrapi, ecja në natyre apo ushtrime të tjera fizike që shtojnë aktivitetin e frymëmarrjes dhe ritmin e zemër janë një sport i papreferuar për pjesën më të madhe të shqiptarëve, ndryshe nga vendet e tjera të Europës.

Sipas shifrave të Eurostat dhe të INSTAT, të përpunuara nga Monitor, rezulton se femrat dhe meshkujt shqiptarë kanë përqindjen më të lartë të mungesës së aktivitetit fizik në Europë. 82% e grave dhe 76% e burrave nuk bëjnë asnjë aktivitet fizik gjatë një jave normale, sipas INSTAT. Mesatarisht rreth 80% e popullsisë  në vend është inaktive.

Ndërsa mesatarja europiane e grave dhe burrave që nuk bëjnë fare aktivitet fizik është shumë më e ulët, përkatësisht 28.6% dhe 26%, sipas të dhënave të raportuara të Eurostat, që i përkasin vitit 2017.

Në Europë, më aktivët janë rumunët dhe estonezët, ku vetëm 3.9 dhe 4.7% e popullsisë nuk bëjnë asnjë aktivitet fizik. Më pas vijnë danezët, holandezët, gjermanët, suedezët, finlandezët.

Ballkanasit në përgjithësi shquhen për dembelizëm. Pas Shqipërisë, në listë  renditen serbët, me 76% të popullsisë që nuk kryen asnjë aktivitet fizik, të ndjekur nga maqedonasit (56%). 

Ushtrimet sipas grupmoshave e qyteteve, durrsakët vetëm rrinë

Për të vlerësuar nivelin e ushtrimeve aerobike gjatë një jave të zakonshme, të anketuarit shqiptarë u pyetën: Në një javë normale, a bëni aktivitete të tilla si ecja, biçikleta, joga, ose gjëta të tjera që shtojnë ritmin e frymëmarrjes dhe rrahjeve të zemrës? Në total, vetëm 12% e femrave nga 15-49 vjeçe raportuan se bënin një formë ushtrimesh aerobike 5-7 herë në javë, 4% i bëjnë 3 ose 4 herë në javë, 3%  e tyre një ose 2 herë në javë dhe 82% nuk bëjnë asnjë lloj ushtrimi aerobik. Midis meshkujve të të njëjtës grupmoshë, 11% ushtrohen 5 deri në 7 herë në javë, 7% ushtrohen 1 deri 4 herë në javë dhe 76% nuk bëjnë asnjë lloj ushtrimi aerobik. Anketimi u krye nga Instat, për llogari të Institutit të Shëndetit Publik.

79.6% e grave në qytet dhe 84% e atyre në fshat në Shqipëri nuk bëjnë asnjë ushtrim aerobik në javë, sipas INSTAT.

Te burrat, kjo përqindje është pak më e ulët, por mbetet gjithsesi më e larta në Europë. 74% e burrave në zonën urbane dhe 78% në atë rurale, nuk ushtrojnë asnjë aktivitet fizik gjatë javës.

Sipas grupmoshave, më aktivët janë të rinjtë, ku 73% e femrave nga 15 në 19 vjeç, nuk bëjnë aktivitet fizik, kundrejt 85% të moshës 30-34 vjeç.

Tek meshkujt, sërish mosha 15-19 vjeç janë më aktivet (edhe për faktin që bëjnë fiskulturë në shkollë), me 63% që nuk bëjnë aktivitet, përkundrejt më dembelëve po të grupmoshës  30-34 vjeç. 

Sipas shpeshtësisë, nga femrat, m ëtë fiksuara janë 15-19 vjeçaret, 16% e të cilave bëjnë aktivitet 5-7 herë në javë. Ndërsa nga meshkujt janë 40-44 vjeçarët, 13.5% e të cilëve bëjnë aktivitet fizik 5-7 herë në javë.

Sipas qyteteve, më dembelët janë meshkujt durrsakë, 94.6% e të cilëve nuk praktikojnë asnjë ushtrim gjatë javës. Më aktivët janë tiransit (61.9%), madje rreth 18% e tyre ushtrohen 5-7 herë në javë.

Nga femrat, sërish kryeson Tirana, që ka përqindjen më të ulët të vajzave e grave që nuk bëjnë aktivitet, me 71.9% të totalit (gati 19% e tyre ushtrohen 5-7 herë në javë, më e larta në rang republike), ndërsa me dembelet janë sërish durrsaket, me 96% të tyre që rezultojnë që nuk kryejnë asnjë ushtrim fizik gjatë javës. 

Sipas raportit të ISHP-, kryerja e rregullt e ushtrimeve jep efekte të dobishme për zemrën, si dhe për tërë trupin. Provat akumuluese sugjerojnë që madhësia e këtyre përfitimeve rritet proporcionalisht me intensitetin e ushtrimit individual, dhe ka rezultuar që kryerja e rregullt e ushtrimeve mund të zvogëlojë mosfunksionimin e vetë zemrës dhe, të paktën pjesërisht, të rivendosë aftësinë e tij për të funksionuar në mënyrë efektive si pompë. Në mënyrë të ngjashme, literatura sugjeron se veprimtaria ushtrimore dhe fizike ka efekte të dobishme për shëndetin mendor. Rrjedhimisht aktiviteti fizik ndikon pozitivisht dhe në produktivitetin dhe rendimentin në punë.

VINI RE: Ky artikulll është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *