Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se gjatë ditës së sotme, e mërkurë, ka vijuar me procedimin e zarfeve me fletëvotime të supozuara që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.
Ky proces, siç dihet, ka qenë ndërprerë me datën 13 tetor, për shkak të ankesave shëndetësore të zyrtarëve që kanë punuar me zarfet e ardhura nga Serbia dhe dyshimeve për praninë e një materie të rrezikshme.
Prokuroria dhe Policia kanë filluar zhvillimin e hetimeve dhe kanë marrë provat dhe dëshmitë e nevojshme (material të dyshuara si të kontaminuara) dhe procesi i hetimeve është duke vazhduar, transmeton Telegrafi.
KQZ bën të ditur se pas verifikimeve dhe kontrolleve nga organet kompetente të zhvilluara gjatë këtyre ditëve, sot është konstatuar se tashmë nuk ekziston rrezik i mëtejmë për procedimin e këtyre zarfeve të mbetur dhe nën masa të caktuara mbrojtëse, mund të procedohen më tutje.
“Përkundër komplikimeve që janë shfaqur gjatë këtij procesi, KQZ është e përkushtuar që ta ruajë integritetin e procesit zgjedhor, sigurinë e zyrtarëve operues dhe po ashtu edhe procesin e zbardhjes së këtij rasti. KQZ falënderon organet kompetente për bashkëpunimin e ofruar gjatë kësaj kohe”-thuhet në njoftim.