Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër, që ka shqyrtuar rastin e vdekjes në burg të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ky i fundit mund të jetë vrarë brenda në qeli.
Instituti vëren se duhet një hetim i ri lidhur me rastin në fjalë, që mund të hedhë më shumë dritë rreth vdekjes së Deharit.
Raporti prej 58 faqesh është publikuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në një njoftim për opinionin publik, shkruan Lajmi.net.
Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton – citojmë:
- Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë El180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. DEHARI Astrit përmes mjete të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh.
- Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vejnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmbanë pak ose shumë pak ADN.
- Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen.
“Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, prokuroria do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, ku do t’i dëgjoj edhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, si dhe ekspertët e Insitutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për sqarimin e raporteve të tyre dhe nëse është e domosdoshme do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes. Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinonin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvilloj hetime profesionale deri në zbardhjën e plotë të këtij rasti. Përfundimet e raportit në gjuhën frënge dhe të përkthyera në gjuhën shqipe i gjeni të bashkangjitura më ketë komunikatë.” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.